Mot pranveror na pret javën e ardhshme
Foto: Zëri / Ilustrim

Mot pranveror na pret javën e ardhshme

Aktuale October 13, 2024 - 13:55

Moti gjatë javës së ardhshme në Kosovë pritet të jetë relativisht i qetë ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK).

Të hënën parashihet mot me diell e vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin mes 3 dhe 7 gradë Celsius, e maksimalet mes 18-21 gradë.

Të martën do të mbajë mot relativisht i ngjashëm, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë deri 23 gradë.

Të mërkurën parashihet mot me diell e vranësira të pjesshme, ndërsa temperaturat minimale do të lëvizin mes 3-6 gradë Celsius, e maksimalet mes 18-22 gradë. Në mëngjes parashihet të ketë kryesisht mjegull.

“Në mëngjes parashihet që në shumë vende, kryesisht viseve të larta dhe atyre me afërsi rreth lumenjve të ketë mjegull”, ka njoftuar IHMK.

E të enjten moti do të jetë kryesisht i vranët, ndërsa parashihet po ashtu mjegull në mëngjes. Temperatura maksimale do të arrijë deri 20 gradë.

Të premten parashihet mot i vranët e me intervale me diell. Vranësirat gjatë ditës parashihet të krijojnë kushte për riga shiu.

“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-5-gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 14-17-gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-7 m/s. Kushtet biometeorologjike dhe agrometeorologjike paraqiten të mira”, ka njoftuar IHMK.