Ministria e Mbrojtjes: Maqedonci nuk ka ofruar dorëheqje
Foto: Laura Hasani

Ministria e Mbrojtjes: Maqedonci nuk ka ofruar dorëheqje

Aktuale October 11, 2024 - 20:03

Ministria e Mbrojtjes ka mohuar se ministri Ejup Maqedonci ka ofruar dorëheqjen.

“Ministri Maqedonci nuk ka ofruar dorëheqje, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe nuk planifikohet të ndodhë”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Ky reagim i Ministrisë së Mbrojtjes vjen pas deklaratës së deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, e cila tha se kishte marrë informacione të pavërtetuara që Maqedonci kishte dorëzuar dorëheqjen e tij te kryeministri Albin Kurti.

Musliu bëri këto komente gjatë një paraqitjeje në TV Dukagjini, ku ajo theksoi se ende nuk ka pasur asnjë konfirmim nga kryeministri Kurti në lidhje me këtë dorëheqje.

“Kam informacione të pavërtetuara që Maqedonci e ka dorëzuar dorëheqjen te Kurti. Po ende nuk e ka konfirmuar Kurti. Kështu që ata njerëz që kanë kontribuuar me dekada në forcimin e shtetit, në forcimin e ushtrisë së Kosovës, unë jam shumë e bindur nuk pranojnë të poshtërohen në këtë mënyrë nga Albin Kurti dhe njerëz parazitë që janë rreth Albin Kurtit”, ka thënë deputetja e PDK-së.