AVONET: Agjencia Kadastrale e Kosovës po tenton të fshehë dokumente të procedurave tenderuese

AVONET: Agjencia Kadastrale e Kosovës po tenton të fshehë dokumente të procedurave tenderuese

Aktuale October 11, 2024 - 19:45

Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka shprehur shqetësimin e thellë mbi mos transparencën dhe mos llogaridhënien e Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Në një komunikatë për shtyp të AVONET, thuhet se pas një kërkese për qasje në dokumente publike, e cila kishte si fokus informacione dhe dokumente nga fusha e prokurimit publik, Agjencia refuzoi të ofronte qasje në këto dokumente, duke shkelur kështu parimet e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, si dhe duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e ligjit pozitiv për qasje në dokumente publike.

“Kjo situatë është shqetësuese, sepse dokumentet e kërkuara lidhen drejtpërdrejt me shpenzimin e parave publike, dhe refuzimi për t’i publikuar ato hedh hije dyshimi mbi integritetin e procesit të prokurimit. Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dinë se si shpenzohen taksat e tyre, dhe mungesa e informacionit e dëmton besimin në institucionet publike”, thuhet në komunikatë,

“Gjithashtu, sipas nenit 17, paragrafit 3, nënparagrafit 3.1 të ligjit pozitiv për qasje në dokumente publike, qasje lejohet gjithmonë, kur kemi të bëjmë me shpenzimin e parasë publike, që në rastin konkret kemi të bëjmë pikërisht me të (shpenzimin e parasë publike, përmes aktivitetit të prokurimit)”.

AVONET thotë se mosdhënia e informacionit dhe mungesa e transparencës janë pengesa të mëdha në përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar një qeverisje të mirë. “Rrjeti i OJQ-ve AVONET bën thirrje për veprime të menjëhershme nga autoritetet për të garantuar qasje në dokumentet publike dhe për të forcuar mekanizmat e llogaridhënies”.

“Nga shumë qytetarë kemi pranuar ankesa se kjo qasje jotransparente dhe e kundërligjshme e këtij institucioni është një praktikë e ndërtuar që një kohë të gjatë nga ky institucion, fakt i cili është jashtëzakonisht shqetësues, sepse kjo sjellje e kundërligjshme nëse përsëritet për një kohë të gjatë dhe në vazhdimësi përbën elemente të keqpërdorimit dhe abuzimit me detyrën zyrtare, nga zyrtarët përgjegjës të këtij institucioni”.

Andaj, AVONET fton zyrtarët përgjegjës të këtij institucioni, që të reflektojnë urgjentisht në këtë drejtim, duke respektuar në tërësi legjislacionin pozitiv të vendit tonë, thuhet në njoftim.