Ministria e Mbrojtjes: Ushtarakët s’do të mbesin pa ushqim

Ministria e Mbrojtjes: Ushtarakët s’do të mbesin pa ushqim

Aktuale October 11, 2024 - 14:54

Ministria e Mbrojtjes, përmes një reagimi, ka thënë se të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe po shërbehet llojllojshmëri shujtash.

Kjo ministri i ka quajtur propaganda raportimet e disa mediave në lidhje me ushqimin e FSK-së, transmeton Zeri.info.

Sipas tyre, nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, ndërsa zotohen se ushtarakët s’do të mbesin pa ushqim.

“E vërteta është se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë, e vetmja gjë me të cilën po përballemi është mungesa në numër e stafit teknik, pasi kuzhinierët veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Studentore, si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ky problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundojë në afat prej 45 ditësh.

“Ndërsa letra drejtuar ministrit të Mbrojtjes nga komandanti i FSK-së është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm, ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vetëqëndrueshmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi”.

“Përgjatë kësaj periudhe kalimtare do të ndërmerren masat për të siguruar vazhdimësinë e ofrimit të këtij shërbimi. Ushtarakët nuk do të mbesin pa ushqim, këtë ua garantojmë pjesëtarëve të FSK-së”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes. /Zëri