Pamje nga vizita e Jakup Krasniqit te varri i vëllait, më pas i takon familjarët në fshatin e tij [video]
Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Jakup Krasniqi, nuk ishte lejuar që të marrë pjesë në varrimin e të vëllait, Jakup Krasniqi.
Megjithatë, disa ditë pas varrimit, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim që i akuzuari Jakup Krasniqi të lejohet për vizitë në Kosovë për arsyeje humanitare për t’u takuar me familjen e tij të ngushtë.
Të enjten Krasniqi ka qëndruar në Kosovë nën mbikëqyrje të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Në një video që ka publikuar, UnikalFilms, shihet teksa Krasniqi shkon në fshatin e tij, viziton varrin e vëllait të tij.
Më pas, Krasniqi shkon edhe tek familja dhe më pas largohet nga vendlindja e tij.
Në prill të 2023-ës ka nisur gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.
Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë./telegrafi