Durmishi: Dialogu social është me rëndësi kyçe për Qeverinë

Durmishi: Dialogu social është me rëndësi kyçe për Qeverinë

Aktuale October 10, 2024 - 19:51

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, së bashku me kryetarin e Federatës së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov dhe kryetaren e Organizatës së punëdhënësve, Vlladanka Trajkoska, si përfaqësues të partnerëve socialë, sot nënshkruan ndryshimin e Marrëveshjes për themelimin e Këshillit ekonomiko-social me përbërjen e re.

Në përputhje me marrëveshjen e re, ministri i Ekonomisë dhe Punës, do të jetë kryetar i Këshillit ekonomik social, ndërsa anëtarët e tjerë të emëruar nga Qeveria do të jenë ministri i Punës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ministrja e Financave dhe ministrja e Arsimit.

“Sot do të mbajmë zyrtarisht seancën e parë që ka karakter solemn dhe është konstituive. Për Qeverinë, dialogu transparent social është me rëndësi thelbësore. Këshilli ekonomik-social është organ trepalësh në nivel kombëtar përmes të cilit do të zhvillojmë dialogun social në periudhën e ardhshme, do të dëgjojmë kërkesat e punëdhënësve dhe kërkesat e sindikatave dhe do të miratojmë vendime dhe masa të përbashkëta që do të kenë si qëllim kryesor përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve”, tha ministri dhe shtoi se sot, meqë është seancë konstituive, vetëm do të dëgjohen kërkesat e sindikatave dhe punëdhënësve.

“Sot do të dëgjojmë kërkesat e të gjithëve, të cilët më pas do t’i dërgojnë zyrtarisht në Këshillin ekonomiko-social dhe do t’i shqyrtojmë si pika të rendit të ditës në një nga seancat e radhës, dua të them se në periudhën e ardhshme të gjitha vendimet, masat, ligjet do të miratohen në mënyrë transparente në kuadër të Këshillit ekonomiko-social dhe ne do t’i dëgjojmë dhe shqyrtojmë të gjitha kërkesat”, tha ministri Durmishi.