Kasanof: Duhet të gjejmë një mënyrë për të pasur progres në dialogun Kosovë – Serbi
Foto: Laura Hasani

Kasanof: Duhet të gjejmë një mënyrë për të pasur progres në dialogun Kosovë – Serbi

Aktuale October 10, 2024 - 17:29

Emisari i ri amerikan për rajonin e Ballkanit Perëndimor e që do të merret edhe me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Aleksander Kasanof, në një intervistë për gazetën serbe “Kurir”, ka thënë se një prej arsyeeve të vizitës së tij në rajon është parandalimi i ndonjë konflikti të mundshëm dhe gjetja e një rruge për të lëvizur përpara sa i përket normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Kasanof ka thënë se e di që situata është e vështirë në mes të Kosovës dhe Serbisë por që puna duhet të vazhdojë për të arritur një progres.

“Është tepër e rëndësishme që ne të gjejmë një mënyrë për të lëvizur përpara në këtë dialog, në mënyrë që të lëvizim drejt progresit e paqes, në sensin e qetësisë dhe normalitetit mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kasanof për Kurir.

Sa i përket Bosnjës dhe Kosovës si dy prej pikave të nxehta në rajon, Kasanof ka thënë se kjo është pikërisht dhe arsyeja pse është duke qëndruar për vizitë në rajon. Diplomati amerikan ka thënë se fatkeqësisht historia na mëson që konfliktet mund të përhapen pavarësisht faktit që ne përpiqemi t’i parandalojmë ato.

“Megjithatë, kjo është një pjesë e arsyes së vizitës sime në këtë rajon, ndaj po flas me qeveritë e Sarajevës, Beogradit dhe Prishtinës, që është ndalesa ime e radhës. Qëllimi është të punojmë së bashku, të parandalojmë mundësinë e konfliktit dhe të përfitojmë realisht nga ky moment, pra të ndërrojmë faqen e episodit të keq nga e kaluara dhe të parandalojmë që konflikti të përhapet”, ka thënë Kasanofi.