Kurti pret në takim të dërguarin amerikan, Alexander Kasanof [foto]
Foto: Laura Hasani

Kurti pret në takim të dërguarin amerikan, Alexander Kasanof [foto]

Aktuale October 10, 2024 - 17:10

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka filluar takimin me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.

Në takim është i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ndryshe Kasanofi u prit në një takim në kryeqytet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Ai erdhi në Prishtinë pas një vizite në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë gjatë kësaj jave.

Kjo është vizita e parë e Kasanofit në rajon në cilësinë e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Por, takim mes udhëheqësve të lartë nuk ka pasur për më shumë se një vit.

Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.

Tensionet mes tyre i kanë rritur edhe sulmi i vitit të kaluar në Banjskë dhe mbyllja e institucioneve paralele serbe në Kosovë.

Ndërkohë, në Bosnje, Kasanof pati bisedimeve me Presidencën e Bosnje e Hercegovinës dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku përsëriti se SHBA-ja "mbështet fuqishëm integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multietnik të Bosnje e Hercegovinës".

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të përdorin të gjitha instrumentet në dispozicion, përfshirë sanksionet, në rast të minimit të shtetit të Bosnje e Hercegovinës.

Ai akuzoi presidentin e Republikës Serbe (RS), Millorad Dodik, për sulmet ndaj Bosnje e Hercegovinës dhe u bëri thirrje autoriteteve të këtij entiteti të emërojnë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nga Republika Sërpska dhe t’i zbatojnë vendimet e saj. /REL

Image

 

 

Image

 

Image