ASK-ja prezanton Regjistrimin e Popullsisë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë

ASK-ja prezanton Regjistrimin e Popullsisë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë

Aktuale October 10, 2024 - 17:01

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) njofton se ka prezantuar Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë (ReKos 2024) në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (UNECE) në Gjenevë.

Në njoftim thuhet se në Takimin e 26-të të Grupit të Ekspertëve për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave të mbajtur në Gjenevë gjatë Javës së Regjistrimit, mori pjesë edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, ku për herë të parë ka prezantuar punën dhe ecurinë e procesit të Regjistrimit të Popullsisë (Rekos2024).

Në fjalën e tij, U.d. Avni Kastrati ka theksuar rëndësinë e të dhënave të sakta për përparimin e zhvillimit social dhe ekonomik të vendit.

“Këto rezultate ofrojnë një pasqyrë të plotë dhe të përditësuar mbi strukturën demografike të vendit tonë, përfshirë numrin e përgjithshëm të popullsisë, shpërndarjen sipas grup moshave, gjinisë, rajoneve dhe faktorëve të tjerë socialë-ekonomikë”, ka thënë Kastrati.

Tutje thuhet se ky regjistrim përbën një hap të rëndësishëm në përmirësimin e politikave të zhvillimit dhe planifikimit ekonomik në vendin tonë, duke krijuar bazën për vendimmarrje të informuar dhe të qëndrueshme. Të dhënat janë përpunuar sipas standardeve ndërkombëtare, në përputhje me normat dhe protokollet e përcaktuara nga Kombet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin përfaqësues të lartë nga Kombet e Bashkuara, përfaqësues të zyrave të statistikave nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, ekspertë demografikë dhe përfaqësues të organizatave të tjera ndërkombëtare.