Kurti në takim me deputetin boshnjak, thotë se prioritet mbetet anëtarësimi në KiE

Kurti në takim me deputetin boshnjak, thotë se prioritet mbetet anëtarësimi në KiE

Aktuale October 10, 2024 - 13:25

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua sot me kryetarin e delegacionit të Bosnjë dhe Hercegovinës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) dhe deputetin Saša Magazinoviq, të cilit i uroi mirëseardhje në Kosovë.

Ai e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të tij ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kurti shtoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës mbetet prioritet i politikës së jashtme, por edhe asaj të brendshme, duke qenë se aderimi në këtë organizatë dhe institucion të rëndësishëm ofron një kornizë e garanci shtesë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

“Kryeministri shprehu se Kosova vijon të jetë e përkushtuar maksimalisht ndaj bashkëpunimit rajonal dhe rrugës drejt BE-së të vendeve të rajonit, ku shprehu mbështetjen e tij ndaj Bosnjë e Hercegovinës në tejkalimin e barrierave institucionale në këtë drejtim dhe nënvizoi kërkesën për anëtarësim të Kosovës, për çka edhe mirëpresim marrjen e pyetësorit e më tej statusin e vendit kandidat, si i vetmi shtet në rajon që ende nuk e gëzon këtë status”.

“Më tej, ata biseduan edhe rreth zhvillimeve politike e aktualitetit në vend e rajon dhe rëndësinë e bashkëpunimit të forcave socialdemokrate, për më shumë zhvillim, mirëqenie e progres rajonal e gjithëpërfshirës. Kryeministri Kurti e falënderoi Magazinoviqin për vizitën e takimin, kontributin dhe shkëmbimin e sotëm”, thuhet në komunikatën për media nga Zyra e Kryeministrit. /Zëri