Osmani: Si në Kosovë, forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë

Osmani: Si në Kosovë, forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë

Aktuale October 10, 2024 - 10:13

Presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar se ashtu siç ka dështuar Serbia në Kosovë, Rusia do të dështojë në Ukrainë.

Në "Facebook", Osmani ka shkruar për diskutimet që i ka bërë në Samitin Ukrainë - Evropë Juglindore në Dubrovnik, i cili është mbajtur të mërkurën.

“Agresori nuk duhet asnjëherë të shpërblehet me tokën e viktimës! Ashtu siç dështuan në Kosovë, Kroaci, Slloveni e Bosnjë e Hercegovinë, forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë. Liria dhe demokracia gjithmonë do të triumfojnë”, shkroi ajo.

Sipas saj, në këtë samit ka theksuar se mësimet e së kaluarës na kujtojnë se akomodimi i agresorëve nuk sjell kurrë paqe të qëndrueshme.

“Dje, para liderëve të tjerë në Samitin Ukrainë - Evropë Juglindore në Dubrovnik, theksova se mësimet e së kaluarës na kujtojnë se akomodimi i agresorëve nuk sjell kurrë paqe të qëndrueshme. Solidariteti ynë për popullin e Ukrainës është i rrënjosur thellë në vetë përvojën e dhimbshme të popullit tonë. Prandaj, do të vazhdojmë të mbështesim të drejtën e popullit ukrainas për liri, për sovranitet dhe integritet territorial. Deri në fitore!”, shkroi presidentja.