AUV-i asgjëson 22 lopë qumështore në Ferizaj me sëmundje të Brucelozës

AUV-i asgjëson 22 lopë qumështore në Ferizaj me sëmundje të Brucelozës

Aktuale October 09, 2024 - 23:36

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës gjatë së mërkurës në komunën e Ferizajt ka asgjësuar gjithsejtë 22 krerë të lopëve qumështore për shkak se tek këto kafshë ishte konstatuar sëmundja e brucelozës.

Selami Salihu, drejtor i AUV-it për regjionin e Ferizajt, ka thënë për Telegrafin se kjo është një sëmundje infektive, ndërkaq bën me dije se në gjithë komunat e Kosovës është duke u realizuar plani nacional vjetor për kontrollimin e gjendjes shëndetësore te kafshët.

Ai shpjegon se këto kontrolle po realizohen nëpërmjet ambulancave të veterinarisë të cilat janë kontraktuar nëpër të gjitha komunat e Kosovës.

“Në bazë të raporteve të testimit n[ Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, në tri ferma të komunës së Ferizajt janë diagnostikuar kafshë me prezencë të sëmundjes së brucelozës. Në të njëjtat ferma është bërë rimostrimi i të gjitha kafshëve për ritestim dhe konfirmimin e sëmundjes së brucelozes në të gjitha kafshët prezente konform udhëzimit administrativ. Fermave të konfirmuara më sëmundjen e brucelozes iu është ndaluar shitja, therja, futja apo bashkimi i tufave të kafshëve me kafshë të tjera, gjithashtu është ndaluar përdorimi i qumështit për konsum publik nga kafshët e konfirmuara dhe nga kafshët jo të sëmura që janë prezent në fermë është urdhëruar që të mos përdoret qumështi pa trajtim termik (zierje)”, ka thënë Salihu.

Sipas tij, është ndaluar lëshimi i kafshëve në kullosa të përbashkëta me kafshë tjera dhe është ndaluar plehërimi i tokës me plehun e kafshëve të fermës për një periudhë të caktuar.

“Kafshët e diagostikuara pozitive në brucelozë janë asgjësuar nga inspektorati veterinar i AUV përmes operatorit ekonomik të kontraktuar në lokacionin e përcaktuar nga Komuna e Ferizajt. Kompensimin e dëmit të shkaktuar ndaj fermerëve për shkak të asgjësimit të kafshëve të sëmura, do ta benë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në bazë të udhëzimit administrativ përkatës. Në fermat e konfirmuara me sëmundjen e brucelozës do të behet rimostrimi i kafshëve 14 ditë pas asgjësimit të kafshëve të sëmura. Nga zyra regjionale e AUV-së në Ferizaj, pastaj janë njoftuar për rastin edhe Instituti Rajonal i Shëndetësisë Publike në Ferizaj për hulumtim diagnostik në familjet e fermave të konfirmuara me sëmundjen e brucelozës”, ka shtuar ai.