Lushi: Kurti ka dërguar sinjale për kompromise, ka frikë nga ardhja në pushtet e Trumpit

Lushi: Kurti ka dërguar sinjale për kompromise, ka frikë nga ardhja në pushtet e Trumpit

Aktuale October 09, 2024 - 22:43

Analisti nga Amerika, Uk Lushi thotë se nga burime amerikane ka mësuar se kryeministri Albin Kurti ka dërguar sinjale për kompromise shumë shpejt

Lushi përmes një shkrimi në Facebook thotë se arsyeja e këtyre sinjaleve është frika e Kurtit ‘nga mundësia e ardhjes në pushtet të Presidentit Trump dhe gjoja ndihma për Demokratët për një sukses në Ballkan’.

“Njerëz të Kurtit në SHBA, të dendur me ideologji, janë duke vepruar sipas instruksioneve të Kurtit ndërkaq që paguhen nga paratë e Kosovës për të përfaqësuar Kosovën dhe jo Kurtin dhe partinë e tij personale VV”.

Ai thotë se vendimet nën frikë dhe presion kohor zakonisht janë shumë të gabuara.

“KM Kurti ka gabuar rëndë kur ka shkuar si kryeministër shteti në Konventën e Partisë Demokratike në Chicago duke besuar që fiton favore me Administratën Biden-Harris nëse influencon shqiptaro-amerikanët të votojnë për VP Harris. Kurti gabon përsëri nëse kujton që ato çfarë nuk i bëri për 4 vjet me Administratën Biden-Harris do të ndihmojnë Partinë Demokratike dhe Zonja Harris, poqese fiton, do të miklojë Kurtin”.

Tutje, ai shton se Kosova duhet të punojë dhe koordinohet me shtetin amerikan pavarësisht cila parti është në pushtet.

“Politika e jashtme strategjike amerikane është e dizajnuar nga agjensi dhe institucione të shtetit amerikan. Ajo është arkitekturë afatgjate. Tentimi që të kuptohet apo ndryshohet përmes partizanizmit apo personaliteteve partiake është gabim i rrezikshëm dhe shumë serioz.

Zotëri Kurti, ju lutem, mos luani rulet me Kosovën! Lus dhe opozitën që t’i rikujtoj KM dhe të mos lejojë Kurtin të bëjë veprime nën trysni dhe duke u bazuar në interesa zgjedhore”, shkroi Lushi.