Vetëlëndimi nxënëseve në Gjakovë, drejtoresha e DKA-së: Fëmijët kanë nevojë për mbështetje dhe siguri nga familja

Vetëlëndimi nxënëseve në Gjakovë, drejtoresha e DKA-së: Fëmijët kanë nevojë për mbështetje dhe siguri nga familja

Aktuale October 09, 2024 - 19:31

Tri nxënëse i kanë shkaktuar vetës lëndime në një shkollë të Gjakovës.

Kjo ‘sfidë’ ka dal nga një e ashtuquajtur lojë në Tik-Tok.

Rasti u raportua gjatë ditës së djeshme edhe në polici.

Lidhur me rastin ka reaguar drejtoresha e Arsimit Eranda Kumnova-Baci.

Ajo tha se këto raste janë alarmuese dhe kërkojnë një angazhim të përbashkët nga ana e familjes dhe shkollës për të mbrojtur fëmijët tanë.

“Familja ka një rol thelbësor në këtë proces. Duke qenë se fëmijët kalojnë shumicën e kohës në ambientin familjar, prindërit janë në pozitë më të mirë për të vërejtur ndryshime në sjellje, emocione apo shenja fizike që mund të tregojnë përfshirje në sjellje të rrezikshme. Ju inkurajojmë të mbani një kujdes të veçantë për veprimtaritë e fëmijëve tuaj në internet dhe të vini re çdo ndryshim të papritur në sjelljen e tyre, si tërheqje nga shoqëria, shenja fizike të vetëdëmtimit, ose shfaqje të ankthit. Dialogu i hapur me fëmijët është një nga mjetet më të fuqishme për të kuptuar se çfarë po ndodh në jetën e tyre. Fëmijët kanë nevojë për vëmendje, mbështetje dhe një ndjenjë sigurie që mund të vijë nga familja”, shkroi ajo në Facebook.

Tutje, Baci-Kumnova theksoi se edhe shkolla është e përkushtuar që të ndihmojë dhe të mbrojë nxënësit.

“Por, bashkëpunimi me familjet është i domosdoshëm për të pasur një qasje të plotë dhe të efektshme. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë, këshillim dhe mbështetje për çdo prind që ka shqetësime për fëmijën e tij”, theksoi e para e DKA-së në Gjakovë.

“Përmes këtij bashkëpunimi, ne mund të identifikojmë dhe adresojmë problemet sa më herët dhe të ndihmojmë fëmijët të largohen nga rreziqet që përballojnë online. Ju falënderojmë për bashkëpunimin tuaj dhe përkushtimin për mirëqenien e fëmijëve tanë!”.