“Jam i ngutshëm - por i kthyeshëm”, PSD-ja me aksion simbolik në Merdar

“Jam i ngutshëm - por i kthyeshëm”, PSD-ja me aksion simbolik në Merdar

Aktuale October 09, 2024 - 13:48

Policia e Kosovës ka penguar anëtarët e Partisë Socialdemokrate (PSD) të vendosin disa pankarta në rrethojat në pikën kufitare në Merdar. Policia ka kërkuar nga anëtarët e PSD-së që pankartat t’i vendosin jashtë rrethojave. Por një gjë e tillë u kundërshtua nga aktivistët e kësaj parie, me ç’rast pati edhe një përplasje ndërmjet tyre.

Më pas ata kanë vendosur një pankartë me fotografinë e kryeministrit Albin Kurti me një mbishkrim “Jam i ngutshëm, por i kthyeshëm”.

Aksioni i PSD-së vjen një ditë pasi ky pikëkalimin kufitar me Serbinë, me vendim të Qeverisë, është hapur për kalimin e mallrave serbe.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, në një përgjigje për Ekonominë Online ka thënë se kamionët me mallra që kanë origjinë Serbinë kanë qarkulluar pa ndonjë problem gjatë këtyre ditëve, por që numri i tyre gjatë dy ditëve ka qenë i vogël.

Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë dje gjatë ditës se bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar Merdar, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë.

Andaj, siç bëri të ditur ai, me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdar do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’u nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X.

Pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksionalë në ato pika kufitare.

Importimi i mallrave serbe rifilloi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës dy ditë më parë për ta hequr kufizimin ndaj mallrave nga Serbia për këtë pikëkalim kufitar. /EO

Image

Image

Image