Kurti thotë se pikat e tjera kufitare për mallrat serbe hapen kur të vijnë skanerët
Foto: Laura Hasani

Kurti thotë se pikat e tjera kufitare për mallrat serbe hapen kur të vijnë skanerët

Aktuale October 09, 2024 - 13:13

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka qëndruar sot në Leposaviq, ka komentuar heqjen e ndalesës për mallrat nga Serbia. Ai ka thënë se pika kufitare në Merdar tash për tash është e hapur, ndërsa pikat e tjera do të hapen kur të arrijnë skanerët për kontrollin e mallrave.

Kryeministri Kurti u ka thënë gazetarëve në Leposaviq se në Merdar doganierët kryejnë kontroll manual të mallit, i cili kërkon shumë kohë.

“Kufirin e Merdarit e hapëm, edhe pse nuk e kemi marrë ende skaner, edhe pse na kanë premtuar, aty po bëhet kontrolli manual, por kufijtë e tjerë që kemi me Serbinë, që janë disa qindra kilometra, do të hapen kur të mbërrijnë skanerët”, ka theksuar Kurti.

Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës ka tentuar të blejnë skanerë, por kanë marrë premtimin për donacion nga BE-ja dhe SHBA-ja. Ai tha se ende nuk e di se kur do t’i marrë Kosova skanerët.

“Nuk e di se kur do të jetë, por deri atëherë duhet ta bëjmë atë kontroll manual, i cili nuk është i mirë për doganierët tanë, por është i nevojshëm”, ka theksuar kryeministri i Kosovës.

Duke komentuar ndërtimin e shtëpive në të gjithë veriun e financuar nga Qeveria e Kosovës, Kurti ka thënë shtëpitë janë të destinuara për të gjithë njerëzit që kanë nevojë për to.

“Nuk do të lëmë jashtë askënd sepse besoj se sundimi i ligjit dhe mirëqenia e qytetarëve duhet të jetë e barabartë. Duhet të ketë barazi pa privilegje dhe diskriminim”, ka thënë Kurti.