Kryetari i KPM-së zgjidhet zëvendëspresident i MNRA-së

Kryetari i KPM-së zgjidhet zëvendëspresident i MNRA-së

Aktuale October 09, 2024 - 09:15

Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave, është zgjedhur zëvendëspresident i Rrjetit të Rregullatoreve të Shteteve të Mesdheut (MNRA), në Asamblenë Plenare të 23-të të mbajtur në Jerevan të Armenisë.

Ky rrjet, që përbëhet nga 27 anëtarë, ka për qëllim shkëmbim e njohurive dhe përvojave mes shteteve anëtare për çështje që kanë të bëjnë me rregullimin e mediave.

Sipas rregullave të këtij rrjeti, Kosova do të jetë nikoqir i Asamblesë Plenare në vitin 2025, me ç'rast edhe merr me automatizëm Presidencën e MNRA-së.

Në fjalën e tij kryetari Mehmeti i falënderoi shtetet anëtare për besimin e dhënë.

"Viti 2025 shënon 20-vjetorin e themelimit të Komisionit të Pavarur të Mediave. Do të jetë nder për ne që krahas organizimit të Asamblesë Plenare të ju tregojmë edhe zhvillimin e KPM-së nga një entitet i administruar nga UNMIK me emrin Komisioni i Përkohshëm i Mediave në një rregullator të pavarur të mediave”, tha ai.

Temë kryesore në punimet e asamblesë në Yerevan janë parimet e Unesco-së mbi administrimin e platformave digjitale si dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara. Përveç Kryetarit Mehmeti, nga KPM-ja pjesëmarrës janë edhe Herolinda Zagragja dhe Bashkim Reçica.

MNRA është themeluar në vitin 1997 me iniciativë të Francës dhe Spanjës. Në mesin e 27 shteteve tjera, anëtare janë Greqia, Qiproja, Izraeli, Malta, Maroku, Turqia, Shqipëria dhe shtetet e tjera të rajonit.