Veriu i qetë, Policia thotë se po e mban situatën nën kontroll
Foto: Laura Hasani

Veriu i qetë, Policia thotë se po e mban situatën nën kontroll

Aktuale October 09, 2024 - 08:50

Armë të gjata, granata dore, radiolidhje; antiplumba; e mjete të tjera u gjetën një ditë më parë në një shtëpi në Mitrovicë të Veriut.

Policia e Kosovës për rajonin e veriut thotë se armatimi i sekuestruar në veri të vendit i takon periudhës para sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Me gjithë armatimin e sekuestruar, zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, vlerëson se situata e sigurisë në veri vazhdon të jetë e qetë dhe nën kontroll. Por, ai nuk e përjashton mundësinë për sulme të reja.

“Kjo tregon që polica po e kryen punën e vet rutinore çdo ditë, në momentin që në pranojmë info, ne ndërhyjmë, sidoqoftë situatën në veri e ka ndryshuar operacioni i Banjskës dhe ne konsiderojmë që armatimi i gjetur dje është me siguri duhet të jetë para Banjskës.

Situata e sigurisë në veri vazhdon të jetë e qetë, delikate, për shkak të zhvillimeve politike që ndodhin këto anë, sidoqoftë situata konsiderohet të jetë nën kontroll, pavarësisht nëse ndodh diçka e madhe, ma shumë se një shpërthim, policia gjendet në çdo cep të vendit dhe e gatshme të ballafaqohet me çdo veprim. Konsiderojmë se situata është nën kontroll. Nëse ndodh diçka e tillë, ne reagojmë, nuk e përjashtojmë asnjë rast, por polica është duke u shërbyer qytetarëve dhe e gatshme të ndërhyjë. I kemi dy persona të identifikuar, s’janë të arrestuar ende, janë në kërkim policor. Ka mundësi të kenë lëvizur edhe në Serbi”, tha Elshani.

Me sekuestrimin e armatimit në veri ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se janë parandaluar sulme të mundshme ndaj zyrtarëve policorë, qytetarëve ose institucioneve të vendit dhe ka shtuar se beteja e suksesshme në luftimin e terrorizmit do të jetë e pandalshme.

Por anëtari i Komisionit Parlamentar për çështje të sigurisë dhe të mbrojtjes nga radhët e PDK-së, Hisen Berisha, thotë se në veri të vendit vazhdimisht ka kontrabandim të armëve që futen në Kosovë dhe për këtë duhet të japë përgjegjësi Qeveria. Sipas tij, në çdo manastir në Kosovë ka armatim.

“Jemi duke u përballur me një situatë dhe deklarata të qeveritarëve që na kanë mbush mendjen se kurrë ma shumë shtete e pushtete e kontroll në veri s’ka pasur. Qeveria mori vendin për me mbyllë urën e Bansjkës, por deri atë dite kane kaluara automjete që kanë kontrabanduar… a ka pasur mundësi të ketë armatime aty tash pas dy javësh… të mbylljes së kontrabandimit që tregon se atë gjatë gjithë periudhës s’ka pasur as shtete, as sovranitet atje është një status quo që e mbajnë çizmja e policisë dhe KFOR-it aty është kryer kontrabandim i vazhdueshëm. Të gjitha këto lojëra me veriun janë skenar që i përdor Qeveria për të kaluar krizën që kalon në qeverisje presionet ndërkombëtare etj. Shpik situata të veriut për të tërhequr vëmendjen. Qeveria duhet me dhanë përgjegjësi si ka mundësi që gjatë kohës kur ka thanë s’ka kontabandim paska ndodh, ndodh kontabandini”, tha Berisha për rtv21.

Njohësi i sigurisë, Bedri Elezi, ndërkaq vlerëson se sekuestrimi i armatimit në veri tregon qartë se përpjekjet e Serbisë për destabilizim të Kosovës nuk kanë mbaruar dhe se deklaratat se veriu është nën kontroll nuk qëndrojnë.

“Kosova është e ekspozuar para një situate të sigurisë dhe se ka përpjekje të vazhdueshme të grupeve terroriste serbe të mbështetura nga Beogradi për sulme …akoma ka përpjekje serioze te serbëve për të organizuar veprime te dhunshme ne drejtim te autoriteteve të sigurisë, policisë, NATO-s. Ky veprim i Policisë dëshmon qartë se përpjekjet e Serbisë për eskalim të situatës ende nuk kanë mbaruar dhe pretendimet që kishte Qeveria që atë pjesë e kemi nën kontroll është e pasaktë dhe se ekziston rreziku të organizohen aktivitete të dhunshme dhe se të njëjtat mund të ndodhin në momente të caktuara. Kur grupet terroriste ushtarake të marrin detyrën nga Serbia për të futur në Kosovë, Këto armatime janë e dëshmi se ka pasur dhe ka baza të armatimeve brenda Kosovës që këto grupe do kryenin veprime terroriste në momentin që do t’u jepet leja të kryej”, tha Elezi.

Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë ka shtuar numrin e ushtarëve të saj pas trazirave të vitit të kaluar dhe sulmeve në Banjskë dhe ka bërë të ditur se është e gatshme për të reaguar në çdo situatë.

Një ditë më parë trupat amerikane të KFOR-it kryen kontrolle të makinave në pikat e kontrollit në komunën e Leposaviqit.