Hoti: Dialogu nuk është si e lash, ka kaluar nga binarët që çojnë në njohje reciproke
Ish-kryeministri, Avdullah Hoti foli për procesin e dialogut kur ai ishte në krye të Qeverisë së Kosovë.
Ai tha se atë kohë ishte qëllimi që dialogu të kalonte nga ai teknik në dialog për njohje të ndërsjellë.
“Kemi lobu disa javë me aleatët që ne jemi të gatshëm për dialog por që dialogu duhet të fokusohet në këto çështje e parime. Kur e kemi marrë këtë dakordim nuk e di nëse iu kujtohet ka qenë 7 korrik. Kur e kemi mbajtur takimin e parë të dialogut të bashkëkryesuar atëherë nga kancelarja dhe presidenti që është edhe tash francez, dhe bashkë me palën serbe dhe të Kosovës dhe jemi dakordu që po hyjmë në procesin e dialogut që po çon në njohje të reciproke , dhe jemi dakorduar për përmbajtjen e marrëveshjes, pikë e parë njohja reciproke, pikë e dytë të pagjeturit pika e tretë bashkëpunimi ekonomik, mandej pas tri katër ditë unë kam shku në Bruksel dhe jemi ulur me palën serbe me ndërmjetësuesit e BE-së për të filluar dialogun për njohje reciproke”, tha Hoti në RTV 21.
Ai shtoi se atëherë është arritur progres në çështjen e të pagjeturve.
“Kur e kam dorëzuar unë raportin në follderin e plotë të shkruar me raport e më të gjitha informatat e nevojshme të protokolluar me numër të protokollit ia kam dorëzuar kryeministrit aktual, fatkeqësisht kjo kornizë e dialogut është lënë anash dhe qeveria aktuale iu është kthyer çështjeve teknike dhe është larguar nga dialogu. Dialogu që tash është duke u zhvilluar marrëveshja që është nënshkruar më Bruksel dhe në Ohër është nxjerr dialogu nga binarët që nuk çojnë në njohje, çojnë te një status quo e re të cilën e kemi aktualisht në vend”, tha deputeti Hoti.