Rrëfimi i dy grave që u përballën me sëmundjen e kancerit të gjirit

Rrëfimi i dy grave që u përballën me sëmundjen e kancerit të gjirit

Aktuale October 08, 2024 - 17:03

Tetori është muaji që i dedikohet ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, që vazhdon të jetë njëra ndër sëmundjet më të cilën përballen shumë gra jo vetëm në vendin tonë, por në mbarë botën.

Në muajin rozë, që u dedikohet edhe atyre që luftuan me këtë sëmundje, Valbona Kastrati, kryetare e OJQ ‘Ia vlen të jetosh’, e cila e ka mposhtur sëmundjen e kancerit të gjirit, foli se si ishte ndier kur e ka kuptuar që është prekur me këtë sëmundje.

“Të them të drejtën, edhe pse fillimisht e kam vërejtur, asnjëherë nuk më ka shkuar mendja se kam kancer. Mirëpo në momentin që e kam kuptuar ka qenë shumë e vështirë. Por, pasi jam luftarake, jam munduar që atë ndjenjë ta kaloj sa më shpejt… Kam luftuar që të arrij deri tek suksesi dhe pas gjithë atyre terapive që kam pas, e që nuk kanë qenë pak, me forcën time, me përkushtimin e mjekëve, por edhe me ndihmën e Zotit, kam arritur të shërohem”, tha Kastrati për Telegrafin.

E vështirë ishte edhe për Sadet Nikoliqi, kur e kuptoi se është prekur nga kanceri. Ajo tha se fillimisht ka dyshuar se mjekët ia kanë ngatërruar rezultatet e analizave të saj.

“Të them të vërtetën nuk ka qenë e lehtë. Kur jam diagnostikuar me këtë sëmundje, unë nuk e kam pranuar, sepse e kam ditur që sëmundja e kancerit është gjenetike. Kam luftuar duke u thënë mjekëve se ndoshta mi kanë ngatërruar rezultatet e analizave, por më pastaj u vërtetua që unë e kam kancerin. Nuk ka qenë aspak e lehtë, dhe pjesa më e rënë ka qenë kur i kam treguar familjes që jam diagnostifikuar me kancer, lajm që ata e morën shumë afër zemrës, mirëpo unë u pajtova me të sepse nuk kisha zgjidhje tjetër”, u shpreh Nikoliqi.