“Kurti s’i shërben Kosovës”, Haradinaj kritikon kryeministrin për heqjen e kufizimeve për mallrat serbe
Foto: Laura Hasani

“Kurti s’i shërben Kosovës”, Haradinaj kritikon kryeministrin për heqjen e kufizimeve për mallrat serbe

Aktuale October 08, 2024 - 13:23

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është shprehur me kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti ndaj vendimit për ndryshimin e masës për mallrat serbe.

Haradinaj tha se Kurti e bëri koncesionin e radhës me lejimin e mallrave të Serbisë.

Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se kryeministri Kurti po bën koncesione pasi “paraprakisht i bën dëme të rënda Kosovës”.

Haradinaj ka shtuar se nëpërmjet vendimit për hapjes e pikës kufitare të Merdarit për mallrat e Serbisë “tentoi ta mbulojë me 20 euro për pensionistët”.

“Dje, në mënyrë klandestine, Kryeministri Kurti hoqi masat ndaj mallrave të Serbisë. Kjo ishte përsëritje e vendimit për heqjen e tarifës 100% që pata vendosur më 2018. Ky është koncesioni i radhës i Albin Kurtit, i cili popullit i shet propagandë e Serbisë i bën koncesione. Ai bën koncesione pasi paraprakisht i bën dëme të rënda Kosovës e pas koncesionit dëmi i mbetet Kosovës. Ai bëri koncesione të vonshme edhe për anëtarësim në Këshill të Evropës, por Kosova mori vetëm dëmin por jo anëtarësimin. Koncesionin e djeshëm tentoi ta mbulojë me 20 euro lëmoshë për pensionistët, por si shoqëri e kemi obligim ta ballafaqojmë me propagandën e tij dhe dëmet që po i bën Kosovës. E thënë edhe më herët, Kurti nuk i shërben Kosovës”, tha Haradinaj.