Sveçla: Në Merdar nis faza e qarkullimit të mallrave nga Serbia me kontrolle manuale

Sveçla: Në Merdar nis faza e qarkullimit të mallrave nga Serbia me kontrolle manuale

Aktuale October 08, 2024 - 13:14

Nga sot ka nisur hyrja e mallrave serbe në Kosovë, një ditë pasi Qeveria ndryshoi masën nga “ndalimi” në “kontroll të shtuar”.

Të paktën kjo ka filluar nga pika e kalimit kufitar në Merdar, ku nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave, tashmë ka kaluar në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë, transmeton Zeri.info.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar sot në lidhje me vendimin e ri, ndërsa tha se kjo masë do të bëhet vetëm në pikën e kalimit kufitar në Merdar, kurse pikat e tjera me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksionalë në ato pika kufitare.

“Bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar Merdar, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet, andaj, me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdar do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’u nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X”.

“Pikat e tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksionalë në ato pika kufitare. Transportuesit e mallrave gjatë kësaj periudhe duhet të kenë parasysh këtë ndryshim dhe të bëjnë planifikimin e duhur të kohës së nevojshme për procedurat e reja të kalimit të pikës kufitare”, shkroi Sveçla.

Kujtojmë se ky vendim erdhi pas presionit të Gjermanisë, e cila kërcënoi Kosovën me përjashtim nga Procesi i Berlinit dhe CEFTA. /Zëri