Gueroti e mirëpret vendimin e Qeverisë për mallrat serbe: Qasja multilaterale sjell rezultate
Foto: Laura Hasani

Gueroti e mirëpret vendimin e Qeverisë për mallrat serbe: Qasja multilaterale sjell rezultate

Aktuale October 08, 2024 - 11:34

Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për heqjen e kufizimit të mallrave serbe përmes pikës kufitare të Merdarit.

“E mirëpres vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikës kufitare Merdar për mallra nga Serbia. Ky është një vendim i rëndësishëm që mundëson progres në integrimin rajonal (Procesi i Berlinit) dhe drejt integrimit evropian. Qasja multilaterale e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve sjell fryte të qëndrueshme”, shkroi ai në X.

Këtë vendim të Qeverisë dje e ka mirëpritur edhe Gjermania, e cila negocioi me Qeverinë e Kosovës për heqjen e këtij vendimi, në mënyrë që Kosova të mos e rrezikojë përjashtimin nga CEFTA.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, dje kishte thënë se do t’i japin mbështetje Qeverisë për të garantuar plotësimin e kërkesave rreth shqetësimeve të sigurisë.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do ta mbështesim Qeverinë e Kosovës, për të garantuar që plotësohen kërkesat e saj të sigurisë dhe do të monitorojmë proceset në pikën kufitare”, tha ai përmes një postimi në X.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka njoftuar se kufizimi për hyrjen e mallrave prej Serbisë është hequr në pikën kufitare në Merdar, ndërsa ka potencuar se kjo ndalesë ishte vendosur për arsye sigurie dhe jo tregtare.

Kurti ka kërkuar skanerë nga partnerët e saj në pikat kufitare me arsyen që në Kosovë të mos hyjë asgjë prej Serbisë që mund t’ia cenojë sigurinë.

Ai ka thënë se derisa të vijnë këta skanerë vetëm në Merdar do të lejohet hyrja e mallrave serbe, ku edhe do të kryhen kontrolle të rrepta.

“Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare… ne besojmë që ndryshimi i masës është më se i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA dhe të hënën në Proces të Berlinit të kemi sukses të plotë”.