U largua nga shkolla shkaku i shamisë, nxënësja nga Peja i rikthehet sot mësimit

U largua nga shkolla shkaku i shamisë, nxënësja nga Peja i rikthehet sot mësimit

Aktuale October 08, 2024 - 08:41

Ka kaluar më shumë se një muaj prejse nxënësja A.D. nuk vijon mësimin në shkollën e mesme “Bedri Pejani” në Pejë.

Ajo ishte përjashtuar për shkak të mbulueses.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Paqe, Labinot Maliqi, përmes një postimi të gjatë në “Facebook” tregoi se prindi i nxënëses ia ka dhënë lajmin që nxënësja do të rikthehet sot në shkollë për të vijuar mësimin e rregullt.

Gjithashtu theksoi se A.D. do të jetë nxënësja e parë në historinë e gjimnazit “Bedri Pejani” që i lejohet të mbajë mbulesën.

“Pas njoftimit të prindit të nxënëses A.D., duke më dhanë lajmin e shumëpritur, konfirmimi përkatës më erdhi gjithashtu edhe nga drejtoria e gjimnazit ‘Bedri Pejani’ në Pejë se nxënësja e larguar nga shkolla për shkak të mbulesës më 2 shtator, do të kthehet sot në bankën e saj për të vijuar mësimin e rregullt. Kjo nxënëse do të jetë e para në historinë e këtij gjimnazi që lejohet të mbajë mbulesën. Le të jetë ky rasti i fundit i largimit të vajzave tona nga shkolla për shkak të mbulesës.

Pas ndërhyrjes mbështetëse që ka bërë Ministria e Arsimit për kthimin e kësaj nxënëseje në shkollë me mbulesë, duke qenë edhe vetë institucioni i bindur se një ndalesë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Arsim dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk ka më asnjë kuptim që të vazhdojë ndalesa për ‘Bartjen e uniformës fetare’ në shkollat e mesme, e paraparë në Udhëzimin Administrativ.

Prandaj, kërkoj nga ministrja e Arsimit, znj. Arbërie Nagavci, që ndalesën në fjalë ta shfuqizojë ose ta rishikojë sa më parë, duke e sqaruar se mbulesa nuk është një uniformë fetare dhe, si e tillë, nuk duhet të jetë pengesë për vajzat që të kenë qasje të barabartë në arsim.

Ndërkohë, drejtori i DKA-së në Komunën e Pejës, Naser Gegaj, si dhe drejtori i gjimnazit ‘Bedri Pejani’, Musa Nikqi, duhet t’i kërkojnë falje publike nxënëses A.D., të cilën e larguan nga shkolla duke e penguar me vetëdije në të drejtën e saj për të pasur qasje në arsim”.