Qeveria ende s’i ka kthyer përgjigje Gjermanisë për CEFTA-n dhe Procesin e Berlinit
Foto: Laura Hasani

Qeveria ende s’i ka kthyer përgjigje Gjermanisë për CEFTA-n dhe Procesin e Berlinit

Aktuale October 07, 2024 - 11:46

Ndonëse ka mbetur edhe një javë nga kur do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, Qeveria e Kosovës ende s’ka ndërruar qëndrim sa i përket kërkesës gjermane rreth zhbllokimit të vendimmarrjes në CEFTA dhe heqjes së masës së sigurisë për mallrat serbe që futen në territorin e Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Christian Bottcher, ka thënë se aktualisht bisedimet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve të Qeverisë së Gjermanisë janë duke vazhduar.

“Për momentin, mund t’ju them vetëm se bisedimet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve të qeverisë gjermane janë ende në vazhdim”, ka thënë Bottcheri për Expressin.

Sa i përket asaj nëse ka afate kohore brenda të cilës Qeveria e Kosovës duhet të vendosë për pranimin ose jo të ofertës së Berlinit zyrtar, zëdhënësi i Ambasadës ka thënë se ka afate që dalin nga rregullat ndërkombëtare dhe procedurat e CEFTA-s dhe trupave të saj.

“Kur është fjala për pyetjen tuaj në lidhje me afatin kohor, sigurisht që ekzistojnë afate të caktuara që ndodhin në bazë të rregullave dhe procedurave të brendshme të CEFTA-s dhe organeve të saj”, ka përfunduar zëdhënësi i Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Christian Bottcher.

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi, Manuel Sarrazin, ka vizituar dy herë radhazi Kosovën gjatë muajit shtator në përpjekjen gjermane për ta bindur Kurtin të pranojë ofertën e Berlinit zyrtar. Pa sukses, Sarrazini është larguar i dëshpëruar nga Prishtina, derisa paralajmërimet si nga vetë ai, si nga ambasadori gjerman, Jorn Rohde, kanë qenë që Kosova rrezikon të mbetet e vetme nëse nuk e pranon kërkesën e Qeverisë gjermane.