Thirrje për mbështetje të grave me kancer të gjirit, Përparim Rama fton qytetarët në aktivitet sensibilizues
Foto: Laura Hasani

Thirrje për mbështetje të grave me kancer të gjirit, Përparim Rama fton qytetarët në aktivitet sensibilizues

Aktuale October 06, 2024 - 10:53

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka bërë një thirrje publike për të gjithë qytetarët që të bashkohen sot në sheshin “Skënderbeu”, në ora 12:00, për të marrë pjesë në një vrap sensibilizues në mbështetje të grave të diagnostikuara me kancer të gjirit.

Në mesazhin e tij të publikuar në rrjetet sociale, Rama theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe mbështetjes për gratë që po përballen me këtë sëmundje të rëndë, duke i quajtur ato “heroinat tona”.

Ai gjithashtu përkujtoi qytetarët se mamografia pa pagesë ofrohet në tri Qendra të Mjekësisë Familjare në kryeqytet: Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Qendrën në lagjen “Dardania” dhe atë në “Veternik”.

Kryetari njoftoi se Drejtoria e Shëndetësisë subvencionon të diagnostikuarit me kancer të gjirit, duke theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm të sëmundjes, i cili shpëton jetë.

“Zbulimi i hershëm i sëmundjes shpëton jetë! Bëjeni mamografinë,” përfundoi Rama thirrjen e tij, duke inkurajuar qytetarët të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të mbështesin një kauzë me rëndësi jetike.