Haradinaj thotë se mbi 200 mijë qytetarë janë larguar nga vendi gjatë qeverisjes Kurti
Foto: Laura Hasani

Haradinaj thotë se mbi 200 mijë qytetarë janë larguar nga vendi gjatë qeverisjes Kurti

Aktuale October 05, 2024 - 14:11

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj një deklarate të kryeministrit Albin Kurti, i cili deklaroi sot se liberalizimi i vizave nuk e ka rritur migrimin.

Haradinaj në reagimin e tij ka shkruar se mijëra njerëz kanë braktisur Kosovën veç në 4 vitet e fundit.

“211.789 persona e kanë braktisur Kosovën veç këto katër vitet e fundit. Mashtrimi i ndryshimit të madh të pushtetit shumë shpejt doli në pah dhe kjo i shtyri njerëzit që në masë të madhe dhe heshturazi zgjidhjen e problemeve ekonomike ta kërkojnë në rrugët e botës. Të mos keqkuptohemi, gjithmonë ka pasur dhe do të ketë migrim nga vendet e Ballkanit, pra edhe nga Kosova për në vendet perëndimore. Është e drejtë njerëzore e drejta për një jetë më të mirë. Megjithatë, ajo çka po ndodhë në Kosovë në këto katër vite nuk është më vetëm migrim, por ky fenomen po merr karakter të dyndjes. Kosova nuk ka problem migrimi por ka problem dyndjeje të popullatës”, thotë ai.

 

Tutje, ai ka kritikuar pushtetin aktual, duke thënë se Qeveria po vazhdon me sjelljet e papërgjegjshme.

“Qe katër vjet Kosova ka regres ekonomik e assesi progres. Pagat e njëjta, çmimet e larta, perspektiva zero. Qeveria vazhdon sjelljen e papërgjegjshme. Nuk e pranon problemin por e vazhdon mashtrimin se më shumë po kthehen se sa që po shkojnë e të gjithë e dimë se askush nuk po kthehet. Kjo qasje urgjent duhet të ndryshojë”, ka theksuar kreu i AAK-së.

Ndryshe, sot kryeministri Kurti deri sa foli për liberalizimin e vizave për Kosovën, theksoi se pikërisht ashtu siç e kishin paraparë, liberalizim i vizave për Kosovën nuk e ka rritur migrimin, por sipas tij, përkundrazi ka njerëz që shkojnë veçse në mënyrë të rregullt dhe gjithnjë e më shumë njerëz të cilët kthehen.

“Pikërisht ashtu siç e patëm paraparë liberalizim i i vizave për Kosovën nuk e ka rritur migrimin, përkundrazi ka njerëz që shkojnë veçse në mënyrë të rregullt dhe gjithnjë e më shumë njerëz të cilët kthehen. Me këtë rast bëj thirrje edhe një herë mërgatës tonë që për dallim prej para tri dekadave kur ju thoshim kontribuoni duke sakrifikuar, tash ju themi investoni për të fituar”, ka deklaruar Kurti.