Rrëfimi i dy paraguajanëve që mahniten me sakrificën e familjes Jashari

Rrëfimi i dy paraguajanëve që mahniten me sakrificën e familjes Jashari

Aktuale October 04, 2024 - 23:24

Listës së miliona vizitorëve në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz i janë shtuar edhe emrat e dy zyrtarëve të lartë policorë nga Paraguaji, të cilët u mahnitën nga historia e familjes Jashari dhe sakrifica e tyre.

Vizitën e pazakontë të Silguero Cesar dhe Vera Lider e përcolli televizioni dukagjini, për të cilin rrëfyen përshtypjet për një sakrificë të pashembullt, për të cilën thanë se nuk e kanë ditur, dhe as nuk kanë dëgjuar të ketë ndodhur në historinë e ndonjë populli në botë.

Kureshtja që ka ngjallur historia e pashembullt e familjes Jashari ka bërë që dy udhëheqës të lartë të policisë nga Paraguaji, të vijnë e ta shkelin tokën e Prekazit.

Ndonëse ishin në vizita në shtetet fqinje, ata nuk e humbën rastin të bëjnë nderime tek varret e familjes Jashari, e të dëgjojnë për historinë e sakrificën tyre.

Silguero Cesar, gjeneral Drejtues i Drejtorisë Anti-Krim të Paraguajit dhe koloneli Vera Lider, bashkë me familjen e ngushtë e miq shqiptar, panë nga afër dëshmitë e një historie të padëgjuar për ta.

“Është hera e parë që po e vizitojmë këtë vend dhe hera e parë që po dëgjojmë dhe mësojmë për historinë e këtij populli”, ka thënë Cesar.

Cesar, me një përvojë të gjatë dhe me njohuri të gjera për sigurinë dhe të kaluarën, thotë se histori si kjo e familjes Jashari nuk ka dëgjuar asnjëherë.

“Njoh histori të ngjashme, por si kjo histori, jo, kjo është unike, unike dhe e vetmja që unë njoh. Na takon neve ta njohim, dhe shpresojmë që kurrë të mos përsëritet një histori e tillë në t’gjithë botën”, ka shtuar Cesar.

Ndonëse shteti prej nga vjen nuk e njeh Kosovën dhe për shkak natyrës së punës nuk dëshiron të flas për politikë, gjenerali Cesar prap nuk heziton ta shpreh simpatinë për luftën për liri.

“Ndjehemi thellësisht të emocionuar duke e dëgjuar historinë e këtij populli, që realisht e ndjenë dashurinë për atdheun. Që realisht kjo të mos përsëritet më kurrë, pra për lirinë, që të gjithë popujt të jetojnë të lirë”, ka theksuar Cesar.

Vizitorët e rrallë nga Paraguaji panë nga afër edhe kullat e familjes Jashari. Vatra ku më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, ushtria e Serbisë, hasi në rezistencën e familjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jasharit. Aty u vranë, 55 njerëz, 22 anëtarë ngushtë të familjes Jashari. /dukagjini