Raporti i KS-OKB për Kosovën: Prioritet, stabiliteti dhe de-përshkallëzimi në veri

Raporti i KS-OKB për Kosovën: Prioritet, stabiliteti dhe de-përshkallëzimi në veri

Aktuale October 04, 2024 - 22:12

Në raportin gjashtë mujor për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili pritet të debatohet më 30 tetor të këtij viti në një seancë të KS të OKB-së, thuhet se “nuk ka pasur përparim domethënës në zbatimin e zotimeve për të cilat Kosova dhe Serbia ranë dakord verbalisht në Ohër, Maqedoni e Veriut, si pjesë e Marrëveshjes së propozuar nga BE për Rrugën drejt Normalizimit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksit të Zbatimit të saj të 18 marsit 2023”.

“Marrëveshja prej 11 pikash parashikonte se as Kosova e as Serbia nuk mund të përfaqësojnë njëra-tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Në këmbim, Kosova u zotua të krijojë ‘aranzhime dhe garanci specifike…për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit’ për komunitetin serb në Kosovë. Aneksi theksoi veçanërisht nevojën që palët të zbatojnë 11 pikat e marrëveshjes në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Megjithatë, pikëpamjet e ndryshme për sekuencën e zbatimit kanë penguar progresin konkret”, thuhet ndër të tjera në raport.

Më tej, thuhet se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ftoi kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Alleksandar Vuçiq në Bruksel më 26 qershor për një takim të nivelit të lartë si pjesë e dialogut Kosovë-Serbi. Takimi trepalësh, megjithatë, thuhet se nuk u zhvillua.

Aty citohet edhe deklarimi i Borrellit në konferencën për shtyp të asaj dite, ku shpjegoi se “Kosova kishte vendosur tre kushte për pjesëmarrjen e saj: zyrtarizimin e Marrëveshjes së Ohrit duke e nënshkruar atë nga të dyja palët; tërheqjen e një letre nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq drejtuar Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, në të cilën ajo argumentonte se Marrëveshja e Ohrit është ‘e pranueshme vetëm brenda kontekstit që nuk ka të bëjë me njohjen de facto dhe de jure të Kosovës’; dhe që Serbia t’ia dorëzojë autoriteteve gjyqësore të Kosovës Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e partisë mbizotëruese politike në veri të Kosovës me shumicë serbe, Listës Serbe, dhe bashkëpunëtorëve të tij”.

Raporti përmend edhe faktin se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti padi ndaj Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve më 11 shtator për përfshirjen e tyre në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 pranë fshatit Banjskë.

Raporti, rastin e Banjskës e cilëson “incident”, ndërsa theksohet se Serbia e ka përjashtuar ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë.

“Pasi takimi trepalësh i 26 qershorit dështoi, Borrelli vuri në dukje se Serbia ‘nuk ishte e gatshme të përmbushte plotësisht kushtet e Kosovës, duke përmendur kufizimet kushtetuese’. Ai vuri në dukje gatishmërinë e Vuçiqit për të ‘eksploruar opsione’ në lidhje me letrën e Bërnabiqit dhe zyrtarizimin e Marrëveshjes së Ohrit ‘në përputhje me praktikat e kaluara të dialogut’. Borrelli tha gjithashtu se, para anulimit të takimit, BE-ja paraqiti një propozim të ri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Megjithatë, ai theksoi se pikëpamjet e palëve se si duhet të vazhdojë procesi i normalizimit mbeten shumë larg”, thuhet mes tjerash në raport.

Përmendet edhe ndalimi i dinarit në Kosovë dhe mos-arritja e marrëveshjes më 15 maj për këtë çështje.

Gjithashtu, përmenden edhe aksionet policore në veri të cilat cak kishin objektet bankare në veri të Kosovës, sikurse edhe zyrat e shërbimit kombëtar postar serb.

Veç këtyre, në raport zë vend edhe mbyllja e disa institucioneve komunale paralele serbe.

Këshilli i Sigurimit thotë se prioritet ka stabilitetin në Kosovë dhe promovimin e de-përshkallëzimit të tensioneve në veri.

“Do të vazhdojë të monitorojë përpjekjet diplomatike për avancimin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe çdo përpjekje drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme rreth Kosovës. Për këtë qëllim, Këshilli mund të shqyrtojë kërkimin e një deklarate presidenciale që u bën thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të zgjidhin çështjet e pazgjidhura përmes dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në raportin e KS të OKB-së për Kosovën.

Thuhet po ashtu se “anëtarët e Këshillit janë të bashkuar në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar kushte për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.

“Ndarjet e thella midis anëtarëve të përhershëm, megjithatë, vazhdojnë të karakterizojnë qasjen e Këshillit ndaj çështjes”, theksohet në raport.

Në mesin e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit, Franca, Britania e Madhe dhe ShBA-ja e njohin pavarësinë e Kosovës dhe priren të mbështesin qeverinë e saj; Kina dhe Rusia nuk e njohin pavarësinë e saj dhe mbështesin fuqishëm pozicionin e Serbisë dhe pretendimin e saj për integritet territorial.

Gjashtë anëtarë të zgjedhur (Guyana, Japonia, Malta, Republika e Koresë [ROK], Sllovenia dhe Zvicra) e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa tre (Algjeria, Ekuadori dhe Mozambiku) jo.

Në raportin e KS të OKB-së përmendet dhe çështja e Sierra Leones, shtetit që e njohu pavarësinë e Kosovës, mirëpo për të cilin Serbia pretendon se e ka tërhequr njohjen.

“Kosova thotë se Sierra Leone e njohu zyrtarisht pavarësinë e saj në qershor 2008. Megjithatë, sipas raportimeve të mediave, Serbia pretendoi në mars 2020 se Sierra Leone kishte tërhequr njohjen e saj, duke cituar një notë verbale për këtë çështje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Sierra Leones. Kosova konteston vlefshmërinë e tërheqjes”.

Sikurse edhe në seancat e kaluara, çështja e modifikimit të mandatit të UNMIK-ut me synimin e zvogëlimit të mundshëm të tij është një tjetër pikë mosmarrëveshjeje mes anëtarëve të Këshillit.

“ShBA-ja ka qenë avokuesi më i zëshëm për rishikimin e operacioneve të UNMIK-ut dhe përfundimisht përfundimin e misionit. Disa anëtarë të tjerë të Këshillit – duke përfshirë Japoninë, Zvicrën, ROK-un dhe MB-në – kanë shprehur mbështetje për një rishikim strategjik dhe modifikim të mundshëm të mandatit të UNMIK-ut, duke argumentuar se situata në terren ka ndryshuar ndjeshëm që nga themelimi i misionit në vitin 1999. Rusia ka kundërshtuar çdo ndryshim në mandatin e UNMIK-ut apo reduktimin e buxhetit, duke pohuar se misioni vazhdon të luajë një rol vendimtar”, theksohet në raportin për Kosovën, për të cilin do të debatohet më 30 tetor. /klankosova