FAO dhe UN Women lansojnë projektin për fuqizimin e grave rurale të Kosovës

FAO dhe UN Women lansojnë projektin për fuqizimin e grave rurale të Kosovës

Aktuale October 04, 2024 - 18:22

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi dhe zyra e UN Women në Kosovë lansuan bashkërisht projektin “Promovimi i Fuqizimit të Grave Rurale në Kosovë”, i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim – ADA, duke mbledhur përfaqësues institucionalë të nivelit të lartë, palët e interesit dhe përfituesit.

Ky projekt, sipas një komunikate, synon të adresojë barrierat strukturore që pengojnë fuqizimin ekonomik të grave në zonat rurale të Kosovës, duke prezantuar teknologji që kursejnë kohën dhe e lehtësojnë punën në prodhim, metoda inovatove të marketingut të produkteve bujqësore dhe synon ta adresojë e trajtojë edhe diskriminimin dhe dhunën me bazë gjinore.

I fokusuar në tri komuna të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicë të Jugut, Istog dhe Skenderaj, ky projekt është dizajnuar për t’i fuqizuar gratë rurale duke forcuar njohuritë, aftësitë dhe përmirësuar qasjen e tyre në burime për gjenerimin e të ardhurave përmes bujqësisë së qëndrueshme dhe agroturizmit.

Për më tepër, kjo nismë synon përmirësimin e mjedisit institucional dhe angazhimin e komunitetit duke mundësuar zbatimin e veprimeve të përgjegjshme karshi çështjeve gjinore. Gjatë ngjarjes së lansimit, Ambasadori Austriak në Kosovë, Georg Schnetzer, deklaroi se gratë rurale janë ndër kategoritë më në nevvojë në Kosovë dhe mbështetja është jetike për zhvillimin e mëtejshëm.

“Për të adresuar këto sfida dhe për të promovuar barazinë gjinore, është thelbësore fuqizimi ekonomik i grave rurale dhe sigurimi i qasjes së barabartë në burime dhe mundësi. Të gjitha sfidat me të cilat ato përballen ishin faktorët kryesorë që na shtynë të mbështesim këtë projekt.”

Në anën tjetër, zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi theksoi se një mbështetje e tillë do të kontribuojë në adresimin e pabarazive gjinore dhe fuqizimin e grave rurale për zhvillimin e sektorit akrikulturor.

Demelezi konfirmoi se MBPZHR është e përkushtuar të kontribuojë edhe financiarisht në këtë projekt.

“Gratë në zonat rurale janë kyçe për prodhimin bujqësor dhe menaxhimin e burimeve natyrore dhe zhvillimin e mëtejshëm të zonave rurale. MBPZHR gjatë vitit 2023 ka subvencionuar më shumë se 4000 gra përfituese me rreth 8 milionë euro dhe ky projekt do të fuqizojë më tej gratë rurale”.

Gjithashtu, duke folur në këtë ngjarje, Arnhild Spence, Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, theksoi rëndësinë e investimit në zhvillimin rural në Kosovë, pasi është e domosdoshme që OKB-ja dhe qeveritë të punojnë bashkërisht drejt Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030.

“Gratë rurale të Kosovës janë absolutisht shtylla e sektorit të bujqësisë, por ato përballen me sfida të ndryshme sa i përket qasjes në burime. Duke i pajisur gratë rurale me aftësitë e duhura, ne mund të rrisim produktivitetin e sektorit të bujqësisë dhe ky është një objektiv i rëndësishëm për ne”.

Ngjarja gjithashtu përfshiu përfaqësues nga komunat e Mitrovicës së Jugut, Skenderajt dhe Istogut. Në fjalimet e tyre, Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, dhe Nënkryetari i Komunës së Istogut, Ali Nimanaj, theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe projektit për zhvillimin rural në komunitetet e tyre.

Projekti do të zbatohet për një periudhë prej 30 muajsh me synimin për të fuqizuar gratë rurale në Kosovë, veçanërisht ato të margjinalizuara, duke i ndihmuar t’i rrisin të ardhurat përmes bujqësisë së qëndrueshme dhe aktiviteteve të agroturizmit që marrin parasysh ndryshimet klimatike.

Ky projekt gjithashtu do të kontribuojë në iniciativat për bujqësinë dhe zhvillimin rural të Kosovës, barazinë gjinore në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, dhe prioritetet e Kornizës së Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara 2021-2025 për barazinë gjinore. /klankosova

Image

Image