“Trepça” gjobit drejtuesin e labortatorit: Kreu punët në mënyrë jo kualitative, shkaku i pakujdesisë
Ndërmarrja publike “Trepça” ka njoftuar sot se drejtuesit të labortatorit të “Trepçës” me inicialet B.Sh i është shqiptuar masa disiplinore dënim me gjobë në lartësi 30% të pagës mujore në kohëzgjatje prej tre muaj.
Sipas njoftimit të “Trepçës”, i njëjti i ka kryer punët “në mënyrë jo kualitative për shkak të pakujdesisë”, shkruan Telegrafi.
Bëhet e ditur se në kontratën e furnizimit të gëlqeres me përmbajtje kimike nga 70-80%, në raportin e tij ka deklaruar se mostrat e marra në matjen e parë pas furnizimit të gëlqeres kanë përmbajtje kimike 68.17% dhe në matjen e dytë 72.91%.
Tutje thuhet se pas marrjes së kësaj informate, menaxhmenti i “Trepçës” ka bërë verifikimin e mostrave dhe ato nuk janë të njëjta me raportin e drejtuesit të labortatorit.
Sipas njoftimit janë bërë gjithsej dy matje, në matjen e parë ka rezultuar se përmbajtja kimike e gëlqeres është 62%, ndërsa në matjen e dytë ishte 63%.
“Menaxhmenti pas marrjes së informatës ka bërë verifikimin e mostrave të gëlqeres ku njërën matje e ka bërë në laboratorin e Tunelit të Parë dhe ka rezultuar përmbajtja kimike e gëlqeres 62%. Matjen tjetër menaxhmenti e ka ri-verifikuar edhe në laboratorin e Njësisë Biznesore Minierat me flotacion Kopaonik – Leposaviç, me ç’rast mostra e gëlqeres ka rezultuar me përmbajtje 63%”, thuhet mes tjerash në njoftim.