Ahmeti: Maqedonia edhe e shqiptarëve, kurrë s’do të ndodhë që vetëm maqedonasit t’i dalin zot
Kryetari i BDI-së e ka vazhduar përplasjen verbale me Qeverinë në lidhje me kërkesën e tij për vetting.
Ahmeti tha se BDI-ja vetting ka propozuar para katër vjetësh dhe kërkoi të miratohet ligj, si dhe vettingu të bëhet me ndihmë të ndërkombëtarëve.
“Ta provojmë humorin se si do të dalë. Kam bërë thirrje me vite. Ligji për veting është në sirtarët e Kuvendit i propozuar para katër viteve dhe le t’i hapim sirtarët, të bëhet vetingu me lehtësim ndërkombëtar”.
“Le të hapet Kutia e Pandorës, si u bë privatizimi në Maqedoninë e atëhershme, kur shqiptarët u përjashtuan nga të gjitha sferat. Le të hapet hetim se si u pasuruan politikanët në RMV për 30 vjetët e fundit. Le të hapet hetim për të gjitha paritë dhe ta shohim humorin se si do të shkojë. Filma të Hollivudit nuk bëjë unë këtu, dhe nuk jam skenarist i Hollivudit. Le të urdhërojnë, i bëjmë të gjitha”, tha mes të tjerash Ahmeti.
I pyetur se si do të veprojë Fronti Evropian në të ardhmen, Ahmeti tha se do të kenë takime dhe do të fillojnë me konferenca për shtyp.
Ahmeti gjithashtu tha se kohën e fundit zhvillohet politikë histerike ndaj shqiptarëve, duke shtuar se nuk do të lejojë asnjëherë që ky shtet të jetë vetëm i maqedonasve. /telegrafi