Edi Rama i nënshtrohet operacionit, Kryeministria jep detaje

Edi Rama i nënshtrohet operacionit, Kryeministria jep detaje

Aktuale October 03, 2024 - 11:57

Zyra e shtypit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë një reagim në lidhje me ndërhyrjen kirurgjikale që po kryen kreu i qeverisë.

Në njoftim bëhet me dije se Rama aktualisht është në sallën e operimit, ndërsa pas përfundimit të ndërhyrjes pritet që ta kalojë natën në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

“Në lidhje me pyetjet dhe kërkesën tuaj për informacion për ndërhyrjen kirurgjikale të Kryeministrit Edi Rama ju bëjmë me dije se: Kryeministri Edi Rama aktualisht po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale laparoskopike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ekipi mjekësor nën drejtimin e Prof. Dr. Arben Gjata po kryen ndërhyrjen kirurgjikale të hernies inguinale. Pas përfundimit të ndërhyrjes, Kryeministri Rama pritet të kalojë natën e sotme në mjediset spitalore të QSUNT”, njofton Kryeministria.