Vitia pa paga, mësimdhënësit kërcënojnë me grevë brenda dy ditësh
Foto: Laura Hasani / Ilustrim

Vitia pa paga, mësimdhënësit kërcënojnë me grevë brenda dy ditësh

Aktuale October 03, 2024 - 08:09

Mësimdhënësit e arsimit fillor dhe të mesëm në komunën e Vitisë janë të vetmit që nuk kanë marrë pagat e muajit shtator në Kosovë, andaj të njëjtët janë gati të hynë në grevë. Ministria e Financave dhe Komuna e Vitisë ia hedhin fajin njëra-tjetrës.

Nxënësit e shkollës “Dëshmorët e Vitisë” në po këtë komunë mund të zhvillojnë mësimin e rregullt të paktën edhe dy ditë.

Kjo pasi që mësimdhënësit e tyre, pritet të hyjnë në grevë nëse nuk marrin pagat për muajin e kaluar, e që janë të vetmit në tërë Kosovën.

Kështu thotë se u paralajmërua drejtori i kësaj shkolle fillore.

“Me keqardhje, një pjesë e punëtorëve tash edhe kamata nëpër kredi iu llogaritët, deklarohen se brenda 2-3 dite, nëse nuk iu ekzekutohen pagat kanë më hy edhe në protesta ose greva”, tha Qemajl Hyseni, srejtor i shkollës “Dëshmorët e Vitisë”.

I njëjti thotë që nga punëtoret e tij, përfshirë edhe ata teknikë kanë thënë se nuk kanë mjete as për të dal në punë.

“Një pjesë e stafit mbështetës, janë në gjendje financiare më të rëndë, ata thonë se nuk kanë naftë për të ardh në punë,” shtoi Hyseni.

Në një përgjigje për TV Dukagjinin të mërkurën Ministria e Financave nuk dhanë kohë se kur do të zgjidhet ky problem.

Ata thanë se përkundër që buxheti për paga ndahet asisoj që të mbulojë shpenzimin për tërë vitin, si pasojë e rasteve përmbarimore, disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tani.

Thesari i Kosovës ka njoftuar me kohë komunat të cilat janë ballafaquar me këtë problem që të bëjnë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator, dhe të gjitha komunat e kanë bërë përpos njërës.

Komuna e vetme që nuk e ka bërë këtë rregullim është sipas tyre është Vitia, e cila ka lënë programet e arsimit fillor dhe të mesëm pa buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të pagave të shtatorit.

Krejt këto po i mohon i pari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti që thotë se ndërrimet buxhetore nuk mund të i bëjnë pa miratimin e kuvendit Komunal.

Për të cilën i thanë shumë pak kohë Ministria.

“Ne kemi kërku që me mbajt kuvendi takim, që është afati ligjor 3 ditë për kuvend të jashtëzakonshëm, ata na kanë dhanë vetëm një orë, në anën tjetër edhe sikur të mbajmë kuvend ne, ne jemi në minus 3 milion e gjysmë na kanë marrë në 2024-tën,” tha Haliti.

Haliti insiston se këtë ministria po e bënë me qëllim, dhe kanë filluar me fushatë.

Ndërkohë thotë se një problem i tillë mund të zgjidhet brenda ditës, kurse nga MFPT-ja thanë që Komuna e Vitisë kur të bën përshtatjet e nevojshme dhe siguron buxhetin e mjaftueshëm, ministria është e gatshme që menjëherë të bëjë një ri-ekzekutim të pagave vetëm për këto dy programe.