Sarrazin: Nuk është e drejtë të thuhet që Gjermania e ka lënë në baltë Kosovën
Foto: Laura Hasani

Sarrazin: Nuk është e drejtë të thuhet që Gjermania e ka lënë në baltë Kosovën

Aktuale October 02, 2024 - 13:53

Manuel Sarrazin i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, tha se shteti i tij ka lobuar që Kosova të jetë pjesë e Këshillit të Evropës, dhe se “nuk është e drejtë që të thuhet se Gjermania e ka lënë në baltë Kosovën”.

Por sipas tij, në politikë momentumi është i rëndësishëm, duke shtuar se nëse Qeveria do të merrte vendim për pronat e Manastirit të Deçanit, vetëm gjashtë muaj më herët Kosova do të ishte pjesë e këtij institucioni.

Emisari gjerman shtoi se edhe përkundër insistimit të Gjermanisë për këtë çështje, shumë partnerë kanë qenë kundër, duke shtuar se shteti gjerman nuk mund ta bëjë detyrën diplomatike të Kosovës, por duhet që vet institucionet të veprojnë.

Këto komente ai i bëri në tryezën e diskutimit për të shënuar një çerek shekulli të Angazhimit Gjerman në Kosovë.

“Në politikë momentumi është shumë i rëndësishëm. Deçani erdhi shumë vonë. Ky nuk është qëndrim zyrtar i Gjermanisë, por i imi, nëse kjo do të bëhej gjysmë viti më herët, Kosova do të ishte pjesë e Këshillit të Evropës. Nuk është e drejtë që të thuhet se Gjermania e ka lënë në baltë Kosovën. Ne kemi lobuar që ta shtyjmë përpara votimin me partnerët tanë, për të votuar pro anëtarësimit në Këshillim e Evropës”.

“Çfarë do të ishte poenta nëse Gjermania do të votonte ndryshe prej partnerëve të saj të ngushtë evropianë në Komitetin e Përfaqësuesve të Ministrave dhe nga këndvështrimi ynë, vota do të dështonte. Për ne është e qartë që duhet të evitojmë dështimin e votimit. E kuptoj dëshpërimin, mund ta shoh edhe unë humbjen e besimin për shkak të kësaj çështje. Nëse vetëm Gjermania do të votonte nuk do të kishim shumicën”.

“Ka shumë çështje mes Gjermanisë dhe Francës dhe nuk ka qenë veç Kosova. Nuk mund të pritni që Gjermania të bëjë punën e juaj diplomatike, duhet Kosova ta bëjë atë. Ajo që harruat ta përmendi është se çuarja para e aplikimit nga Komiteti i Përfaqësuesve të Ministrave në Asamblenë Parlamentare është bërë nga Gjermania”.