Jeliq për deklaratat e saj në MUP-in serb: Personat që kanë shkruar këto deklarata duket që kanë improvizuar

Jeliq për deklaratat e saj në MUP-in serb: Personat që kanë shkruar këto deklarata duket që kanë improvizuar

Aktuale October 02, 2024 - 13:25

Dëshmitarja Stamena Jeliq duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit tha se deklarata e saj për MUP-in serb përmban gjëra që ajo vetë nuk i ka thënë ndonjëherë.

Ajo tha se personat që i kanë shkruar këto deklarata si duket kanë improvizuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tavakoli i lexoi dëshmitares pjesë nga deklarata e saj për MUP-in pikërisht në një pjesë ku kishte bërë përgjegjës Avi Balajn për rrëmbimin e burrit të saj.

“E shoh, por zonjë unë nuk e kam thënë këtë. Nuk e kam përmendur atë apo dikë tjetër si organizues i kësaj gjejë. E shoh (nënshkrimin) por ato nuk janë deklaratat e mija. Personat që kanë shkruar këto deklarata duket që kanë improvizuar. Nuk e di si e kanë shkruar, por unë nuk i kam përmendur këta emra ose një pale tjetër”, tha dëshmitarja Jeliq.

Tavakoli pyeti dëshmitaren se a e dinte që këto deklarata ishin përpunuar nga MUP-i serb.

“E shoh që është shkruar aty, po e lexoj por këto nuk janë fjalët e mija”, tha Jeliq.

Tavakoli pyeti dëshmitaren se a po dëshmon që MUP-i serb ka improvizuar në deklaratën e saj.

“Unë thjeshtë dua të them që këto nuk janë fjalët e mija. Asgjë tjetër”, tha Jeliq.

Tutje, Tavakoli vazhdoi të bëjë pyetjet për të njëjtën deklaratë por lidhur me një incident tjetër. Në deklaratën për MUP-in pretendohet se dëshmitarja ka thënë se njeri prej personave që kishin shkuar në shtëpinë e saj e kishte mbiemrin Silkiq, i dyti Bugari dhe i treti që kishte veshur pantolla dhe këpucë e kishte pasur pseudonimin Golubari.

“Sa i takon Golubarit dhe Bugarit e kam thënë ndërsa pjesën tjetër jo. Ka shumë gjera të shënuara këtu të ndryshme që nuk i kam thënë. Këtu thuhet po ashtu që Hashim Thaçi kishte ardhur në Rahovec, nuk e kam thënë këtë se është diçka që do ta kujtoja”, tha Jeliq.

Jeliq vazhdoi duke thënë se gjysma e fjalëve që po thuheshin në atë deklaratë nuk ishin të saj

Asgjë nga këto që janë këtu nuk janë fjalët e mija. Nuk e kam thënë as gjysmën që janë këto. Nuk e kuptoj se nga vijnë gjitha këto gjëra”, tha Jeliq.

“Është e qartë që ajo nuk e din nga kanë përfunduar këto gjëra në këtë deklaratë”, tha tutje kryetari i trupit gjykues Charles Smith III.

Ndërsa, avokatja e Thaçit, Nina Tavakoli tha se ky është një shembull tjetër që MUP-i bën improvizime.

“Ky është shembull tjetër që MUP-i bën improvizime pra”, tha Tavakoli gjë e cila u kundërshtua nga prokurorja me arsyetimin se përben spekulim gjë e cila u pranua nga trupi gjykues.

Dëshmitarja mohoi se ka thënë për MUP-in serb se djali dhe babai i saj kanë parë një fotografi të burrit të saj me armë.

Ndryshe, përpara gjithë këtyre deklaratave, avokatja Tavakoli tha se Ludvig kishte thënë që vetë ai nuk beson që Ismet Tara ka pasur gisht në rrëmbimin e civilëve serbë pas futjes së NATO-s në Kosovë.

Dëshmitarja tha se Ludvig e ndihmoi atë dhe familjen e saj që të largohet nga Kosova për çka edhe e falënderoi.

Ajo gjithashtu tha se nuk e din që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka bërë hetim për çështjen e bashkëshortit të saj.

“Nuk kam pasur asnjëherë asnjë bisedë me ata. Thjeshtë kam shkuar aty dhe kam raportuar zhdukjen e burrit tim”, tha Jelliq duke shtuar se ka shkuar te KFOR-i e që askush nuk i ka bërë pyetje.

Në pyetjet për Ismet Taren, dëshmitarja pohoi se ai e kishte marrë vjehrrën e saj në makinë me qëllimin që të mund të identifikonte personat që e kishin barë atë gjë djalit të saj në qytet.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokates Tavakoli, dëshmitarja mohoi se ka dijeni që vjehrra e saj kishte shkuar tek Ismet Tara që t’i tregojë se ata burra që ia rrëmbyen djalin e saj ishin kthyer dhe kërkonin para.

“Vjehrra ime ishte e vjetër dhe ecte me shkop. Nuk është e saktë kur thoni që ajo ka shkuar tek Ismet Tara disa herë. Sa i takon deklaratave dhe kush i ka shkruar ato nuk e di. Ajo ka shkuar për tu takuar me Ismet Taren vetëm një herë atë ditë. E di këtë sepse kemi jetuar në të njëjtën shtëpi”, vijoi tutje dëshmitarja.

Tavakoli tutje i tha dëshmitares së një gjë të tillë e kishte thënë vjehrra e saj. Si rrjedhojë, Tavakoli parashtroi si provë deklaratën e vjehrrës së dëshmitares për diskreditimin e dëshmitares.

Lidhur me këtë pati kundërshtime nga ana e Prokurores e cila tha se ky dokument nuk përmban diskreditim për shkak se dëshmitarja tha se nuk ka dijeni për këtë informacion. Me një gjë të tillë u pajtua trupi gjykues. Atëherë, Tavakoli parashtroi që dokumenti të pranohet në prova jogojore dhe kjo gjë u pranua.

Avokati Ellis-Trupit gjykues: Po zbatoni standarde të ndryshme për provat e ZPS-së dhe për ato të mbrojtjes

Mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes, avokatit Aiden Ellis i tha trupit gjykues që po zbatohen standarde të ndryshme për pranimin e provave të mbrojtjes dhe të prokurorisë.

Deklarata e Ellis erdhi pasi kolegia e tij, Nina Tavakoli e cila është pjesë e mbrojtjes së Thaçit kërkoi që të pranohet në prova materiale një raport i OSBE-së për të cilin dëshmitarja tha se nuk e ka parë më herët.

“Kam frikë që po zbatoni një standard tjetër për provat e mbrojtjes dhe tjetër standard për provat e prokurorisë. Ne na është thënë në fillim të këtij blloku të dëshmitarëve që nuk ka rendësi ndonjëherë që e ka parë apo se ka parë dëshmitari përpara një dokument. Kur kundërshtuam ne një rast që ishte i ngjashëm nga ana e Prokurorisë, por… tani do të përcaktojmë ne se a përmbushen kriteret e rregullës 138. A është autentik dokumenti apo ‘prima facie’. ‘Prima Facie’ është absolutisht relevant sepse lidhet me personin në fjalë Marko Jeliq edhe është autentik se është dokument i OSBE-së. Atëherë të zbatohen standardet e pranuara deri tani e për rrjedhojë të pranohet dokumenti”, tha Ellis.

Përpara kësaj, Tavakoli i tha gjyqtarit se nuk kanë arritur që ta shtojnë në prova materiale këtë dokument kur kishte dëshmuar pjesëtari i OSBE-së.

“Atëherë do të doja që të pranohet ky dokument ju lutem sepse është me rendësi për rastin tonë. Do të doja që të pranohet ky dokument. Ne nuk arritëm që ta pranonim këtë dokument përmes Ludvig tani unë se di në çfarë do ta kërkojmë pranimin e këtij dokumenti. Jemi në duart tuaja”, tha Tavakoli.

Lidhur me këtë, Charles Smith III tha që s’ka rrugë tjetër për momentin pasi dëshmitarja nuk ka pasur mundësi që ta identifikoj dokumentin.

“S’ka asnjë rrugë për ju në këtë moment. Ajo nuk mundi ta identifikoj se nuk ka asnjë dijeni për këtë dokument. Unë se di se çfarë synoni që të arrini ju. Problemi është që mbrojtja është rast se si rregull ky dokument do duhej që të pranohej përmes zotit Ludvig. Tani z.Ludvig se kemi më këtu”, tha Tvakoli.

Njëri nga gjyqtaret e trupit gjykues i tha dëshmitares se ekziston mundësia që të dorëzojnë mocion për pranimin e dokumenteve përmes jodëshmitarëve.

Si rrjedhojë erdhi edhe deklarata e Ellis për standardet e ndryshme për pranimin e provave të Prokurorisë dhe të mbrojtjes.

Gjithashtu edhe mbrojtja e Kadri Veselit, Ann Roëan tha se e mbështesin kolegun e tyre Ellis.

“Në rregull, atëherë bëjeni një parashtrim dhe pastaj e trajtojmë”, tha tutje Charles Smith III.

Tavakoli tutje tha që parashtron se duhet të pranohet ky dokument për arsye që sapo i ka parashtruar kolegu i tij Ellis.

Lidhur me këtë pati kundërshtime nga ana e prokurorisë e cila tha se mbrojtja ka mundur që ta kërkojë këtë dokument përmes dëshmitarit Ludvig për çka mbrojtja tha se ka pas kundërshtim për shkak të disa redaktimeve të raportit e që nuk iu ishte lejuar që të bëjnë pyetje.

Gjykatësi urdhëroi që t’i jepej një numër provizor këtij dokumenti dhe pastaj të vendoset më vonë.

Ndryshe, gjatë dëshmisë së saj Jeliq pohoi se bashkëshorti i saj ka punuar si përkthyes për OSBE-në gjatë kohës së MVK-së.

Dëshmitarja tha se nuk është në dijeni që Fred Ludvig dhe personat nga OSBE kryen hetim se çfarë i kishte ndodhur Marko Jeliqit.

“Fred Ludvig ka thënë që është takuar me Ismet Tarën që ju thatë që ishte personi përgjegjës për UÇK-në”, tha dëshmitarja Jeliq.

Me pas asaj iu prezantua një raport nga OSBE-së ku thuhej se në këto incidente në Rahovec kishte edhe persona të përfshirë nga Shqipëria e që ishin jashtë kontrollit të UÇK-së.

“Hetimet tregojnë sidoqoftë se ka përfshirje nga Shqipëria. Ka thashetheme në qytezë se ka dal një grup që ka marrë emrin Banda e Dorës së Zezë. Prezumohet se ky emër nëse ekziston përdorej si sarkazëm kundër serbeve. Duket se ky grup vepron jashtë kontrollit të UCK-së. UÇK-ja shpreh keqardhje për këtë rast”, tha Tavakoli.

Dëshmitarja pohoi ashtu siç kishte thënë edhe për ZPS-në se njëri prej burrave që kishte shkuar në shtëpinë e tyre i kishin thënë se janë nga UÇK-ja e që ka pasur uniformë të kësaj organizate.

Gjithashtu ajo kishte thënë se këta persona ishin fëmijë 19-20 vjeçar gjë të cilën e pohoi edhe sot dëshmitarja.

“Unë thash që dy prej tyre ishin me uniformë dhe njëri ishte me rroba civile dhe asnjëherë nuk kam thënë se ishin të gjithë të veshur me uniformë”, tha Jeliq.

Lidhur me këtë pjesë, dëshmitarja u demantua nga avokatja Tavakoli.

“Kjo është deklarata që keni dhënë ju për SJTF-në. Ju thoni të paktën sipas rreshtit të parë që tre kanë qenë të veshur me uniformë dhe megjithatë tani po thoni që nuk kanë qenë të gjithë të veshur me uniformë dhe ju vazhdoni me tej të thoni që ishin vetëm dy me uniformë”, tha Tavakoli duke kërkuar shpjegim nga dëshmitarja.

Dëshmitarja insistoi në përgjigjen e tanishme të saj.

“Zonjë, burri që mori bashkëshortin tim. Ata persona që erdhën për ta marrë bashkëshortin tim ishin fqinjët tanë, ishin të UÇK-së”, tha Jeliqi.

Dëshmitarja mohoi se ka dëgjuar që në atë kohë kishte banda kriminale që kalonin nga kufiri me Shqipëri e që kryenin krime ndërkohë që ishin të veshur me uniforma të UÇK-së.

Tutje Tavakoli i kujtoi dëshmitares që në seancën përgatitore me ZPS-në kishte thënë që njeri prej burrave kishte një kartë identiteti blu dhe se nuk e njihte këtë person. Këtë gjë e pohoi edhe dëshmitarja.

Dëshmitarja pohoi se ky person nuk ishte nga zona lokale dhe që ky person ishte vetë prezantuar që ishte nga Shqipëria.

“Po, ai ka thënë që ishte nga Shqipëria, me kujtohet kjo”, tha dëshmitarja.

Dëshmitarja pohoi se këta burra ishin kthyer edhe njëherë në shtëpinë e saj dhe që i kishin kërkuar para në këmbim të burrit të saj.

“Ata që kërkuan para dhe morën bashkëshortin tim nuk ishin nga Shqipëria por nga Rahoveci. Të njëjtët persona që e morën erdhën dhe kërkuan para”, tha ajo.

Dëshmitarja Jeliq për bashkëshortin e saj: Trupi i tij nuk është gjetur, dua të di se çfarë ka ndodhur

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të viktimave, dëshmitarja Stamena Jeliq tha se trupi i burrit të saj nuk është gjetur kurrë dhe se dëshiron të dijë se çfarë i ndodhi atij.

Ajo tha se do të ishte mirë të ia gjenin të paktën një kockë në mënyrë që të iu bëhet një varrë atij ku bashkëshortja e tij mund ta qante, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po e vërtetë është. Trupi i tij nuk është gjetur kurrë…Ajo se çfarë dua të dijë është ajo se çfarë i ka ndodhur bashkëshortit tim dhe do të ishte mirë që të paktën të gjenim qoftë edhe një kockë të vetme në mënyrë të tillë që t’i bënim një varr dhe të kisha një vend ku më në fund mund ta qaja atë”, tha Jeliq.

Dëshmitarja tha se zhdukja e bashkëshortit të saj ka pasur ndikim me atë dhe fëmijët e saj.

“Me besoni që ka pasur shumë ndikim mbi ne. Vajza ime ishte shumë e lidhur me të atin dhe kur u larguam nga Rahoveci për të shkuar në Mal të Zi, vajza nuk ka folur për një muaj, megjithëse ajo kishte filluar që të fliste. Ajo ulej në të njëjtin vend gjithmonë dhe e kishte frikësuar shikimin në një vend gjithë kohës ndërkohë që nuk nxirrte asnjë fjalë të vetme. Nuk fliste fare”, tha Jeliq.

Dëshmitarja Stamena Jeliq tha se ajo vetë nuk ishte funksionale as fizikisht dhe as mendërisht pas kësaj ngjarje.

“Sinqerisht unë nuk isha fare funksionale as fizikisht dhe as mendërisht dhe me pas kërkova ndihmë. Shkova u vizitova të një mjek dhe ai me tha disa gjëra të caktuara që fëmijët e mijë do të përfundonin në një qendër për fëmijë të braktisur dhe se ata nuk do të dinin që janë motër e vëlla me njëri-tjetrin, atëherë unë u mundova që ta mblidhja vetën dhe për një vit të plotë nuk isha mirë as fizikisht dhe as mendërisht. Megjithatë, pas një viti fal mjekëve fatmirësisht isha më mirë”, tha Jeliq.

Jeliq pohoi se pas një viti, nga Mali i Zi kanë shkuar për të jetuar në Serbi. Ajo tha se kur kanë arritur në Serbi, ajo ka punuar në një restorant për ushqime të shpejta, punë kjo që e bënë edhe sot.

Gjithashtu, dëshmitarja u pyet se çfarë ndikimi ka pasur për atë rritja e fëmijëve pa baba.

“Ka pas ndikim të jashtëzakonshëm. Edhe sot e kësaj dite, mungesa e babait ka ndikim për ata edhe pse sot ata janë të rritur. Ka pasur shumë ndikim mbi jetën time. Është shumë e vështire të jetosh diku dhe t’i rrisësh dy fëmijë pa asnjë lloj ndihme. Është shumë e vështirë kjo gjë dhe nuk do ia uroja askujt një fat të tillë. Edhe pse kjo ka ndodhur në të shkuarën, edhe sot e kësaj dite jeta nuk është fare e lehtë”, tha dëshmitarja.

Me kaq përfunduan pyetjet e mbrojtësit të viktimave për këtë dëshmitarë për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Hashim Thaçit të përfaqësuar nga avokatja Nina Tavakoli.

Jeliq: Kam dëgjuar se Ismet Tara ishte përgjegjës për zhdukjen e serbëve në Rahovec

Dëshmitarja Stamena Jeliq tha se ka dëgjuar nga persona në Rahovec që në këtë zonë, përgjegjës për zhdukjen e serbeve që i kishte fqinjë duke përfshirë edhe burrin e saj ishte Ismet Tara.

“Personi përgjegjës për Rahovecin ka qenë Ismet Tara. Kam dëgjuar nga persona në Rahovec që ai ka qenë përgjegjës për zhdukjen e personave në fjalë. Vjehrra ime kur ka shkuar për të raportuar zhdukjen e djalit të saj ka shkuar për t’u takuar personalisht me Ismet Taren. Këtë ma ka thënë ajo personalisht”, tha dëshmitarja duke mohuar se është takuar vetë personalisht me Tarën.

Përpara kësaj, dëshmitarja tha se njërin prej serbëve e kishin rrahur dhe e kishin futur me një fugon nga i cili kishte arritur të arratisej.

“Tihjomirin e kishin rrahur dhe me pas atë e morën me veturë të një lloji të caktuar me një si fugon, duart i kishte të lidhura dhe dëgjova që ai arriti që të ikte nga fugoni. Këtë e kam dëgjuar përmes fqinjit tim, Jella Gerkoviq”, tha dëshmitarja duke shtuar se burri i saj e kishte emrin Zveta.

Ajo tha se serbet e arrestuar ishin mbajtur të ndaluar në ish-stacionin e Policisë Serbe në Rahovec.

“Në Rahovec ku më përpara kanë qëndruar Policia dhe kur policia është larguar, ata janë mbajtur të ndaluar në stacionin e Policisë”, tha Jeliq duke shtuar se ata janë ndaluar nga UÇK-ja.

Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorisë për këtë dëshmitare për të vazhduar më pas me pyetjet e mbrojtësit të viktimave, Simon Laws.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.