Vengu: Shqipëria, objektiv i propagandës përçarëse nga Rusia dhe Irani

Vengu: Shqipëria, objektiv i propagandës përçarëse nga Rusia dhe Irani

Aktuale October 02, 2024 - 13:20

“Shqipëria është bërë objektiv i propagandës keqdashëse dhe përçarëse kryesisht nga Rusia dhe Irani”. Kështu deklaroi ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në komisionin e “Dezinformimit”, ku u zhvillua një seancë dëgjimore lidhur me strategjitë që ky institucion do të ndjek për të eliminuar dezinformacionin përçarës dhe propagandën.

Ministri Vengu u shpreh se dezinformomi dhe propaganda janë pjesë reale e informacioneve virale në vendin tonë dhe në botë dhe se për këtë Ministria e Mbrojtjes po shqyrton që pa arritur kostot në buxhet të mund të krijojë një strategji për të luftuar këtë fenomen duke krijuar struktura që identifikojnë burimet e dezinformacionit dhe kundërpërgjigjja me informacione të sakta.

Duke përmendur disa raste të dezinformimit nga Rusia dhe Irani në vendin tonë, ku në fokus ka qenë edhe objektivi i qeverisë për të ringritur industrinë ushtarake, Vengu tha se këto manipulime nga vende të treta ndikojnë në sigurinë e vendit por dhe në përçarjen e shoqërive dhe uljen e besimit te qeveria.

“Dezinformimi perceptohet si kërcënimi i largët pro faktet tregojnë se edhe Shqipëria është e kërcënuar nga ky fenomen, nga influenca malinje nga vende të treta jashtë NATO-s dhe BE dhe propaganda e financuar nga vende të caktuara. Manipulimi i informacionit nga vende të huaja që përfshijnë dezinformimin dhe propagandën është një kërcenim ndërkombëtar i sigurisë që krijon përçarje brenda dhe midis vendeve, rrezikon integritetin e zgjedhjeve dhe minon besimin e publikut ndaj qeverisë. Cunami i informacione që lëshohen sot virtualisht krijon një shoqëri që drejtohet nga informacioni dhe shpesh pa dijeni bëhemi konsumatorë dhe përhapës të dezinformimit. Kemi situata nga më të ndryshme. Inkurajimi i propagandës masive dhe lajme të rreme që po ndotin dhe çrregullojnë ekosistemin tonë informativ që po bëhet më shumë përçarës se sa përbashkues. Qeveritë mundohen ta rregullojnë informacionin dhe përmirësojnë atë, por kemi një ekosistem botëror informacioni të çrregulluar dhe në këtë situatë propaganda kanë padyshim një terren shumë të volitshme për t’u përhapur. Shqipëria është bërë objektiv i propagandës keqdashëse dhe përçarëse kryesisht nga Rusia dhe Irani. Përballë këtyre kërcënimeve duhet një kundërpërgjigje institucionale me informacione te qarta dhe të sigurta. Ministria e Mbrojtjes e gjen veten të përfshirë në këtë kërcënim nga palët e treta lidhur me ringritjen e industrisë së mbrojtjes. Në gjykimin tonë duhet të rrisim burimet për të identifikuar burimet dezinformuese në koordinim me partneret dhe të kundërpërgjigjemi me informim të saktë të shoqërisë dhe këtë mund ta bëjmë më burimet që kemi pa pasur nevojë për kosto shtesë në buxhet”, tha Vengu.

Opozita nuk ka pranuar të bëhet pjesë e këtij komisioni, ndërsa vijon bojkotin e komisioneve të tjera që pas arrestimit të deputetit demokrat Ervin Salianji. /rtsh