Ky është ushqimi që iu shërbye sot ushtarëve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë
Tema e ushqimit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë ka ngjallur reagime të mëdha në opinion. Të martën, Ministria e Mbrojtjes ka dal me një reagim ku ka sqaruar ushqimi për ushtarët mbetet i njëjti siç ishte i kaluari, veçse kuzhinierët janë huazuar nga Qendra e Studentëve dhe Shërbimi Korrektues.
Më poshtë gjeni edhe fotografitë ku shihet ushqimi që i është servuar ushtarëve të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë gjatë ditës së mërkurë [sot].
Aty vërehet se sot iu është shtuar supa dhe sallata por që mungon pema, ëmbëlsira dhe një pije që zakonisht iu shërbehen.
Ndryshe, që nga data 1 tetor punëtorët e Qendrës së Studentëve dhe atyre të Shërbimit Korrektues të Kosovës po punojnë edhe në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku përgatiten ushqimin për ushtarët.
Tetë kuzhinierë nga SHKK-ja e po aq edhe nga Qendra e Studentëve, për afro 2 javë ata do t’iu shërbejnë ushtarëve të Kosovës.
“SHKK është duke mbështetur FSK-në, por kjo mbështetje do të jetë vetëm për një periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional,” thuhet nga Shërbimi Korrektues i Kosovës .
Meqenëse aktualisht tenderi për furnizim me ushqim nuk është nënshkruar nga Ministria e Mbrojtjes, kazermat me ushqim u furnizuan nga Agjencioni Qendror i Prokurimit përmes kompanisë Hajdini Comerc, që aktualisht furnizon me ushqim disa institucione tjera.
Por, kjo kompani është fituese edhe në tenderin e Ministrisë së Mbrojtjes, megjithëkëtë i njëjti nuk është nënshkruar dhe siç ka konfirmuar ministri Maqedonci, është në auditim të brendshëm.
Pronarët e saj po presin vendimin e Ministrisë për procedim tutje./RTVDukagjini