Dhuna në Kuvend, ministri Hoxha: Do të referohet në SPAK, vandalizmi ndëshkohet ligjërisht

Dhuna në Kuvend, ministri Hoxha: Do të referohet në SPAK, vandalizmi ndëshkohet ligjërisht

Aktuale October 01, 2024 - 10:51

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, reagoi sot lidhur me aktet e dhunës të ushtruara dje nga deputetët e Partisë Demokratike në seancën plenare të Kuvendit.

Hoxha theksoi se “pengimi i ushtrimit të funksioneve kushtetuese, heqja me dhunë e të drejtës së fjalës, goditja për shkak të detyrës, rrezikimi i jetës së deputetëve, duke i goditur me mjete të forta, shkatërrimi me zjarr i pronës publike, ishin akte të rënda dhune dhe vandalizmi”.

“Flakët e zjarrit, pasditen e djeshme, në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, që është tempulli më i lartë i një sistemi demokratik, janë akt që përdhos ndjenjat e qytetarëve të këtij vendi”, nënvizoi Hoxha.

Ministri theksoi se Kuvendi mbetet thelbi i shprehjes së vullnetit dhe besimit të votuesve, ndaj çdo akt vandalizmi brenda ose në dyert e tij është absolutisht i papranueshëm dhe i ndëshkueshëm ligjërisht.

Hoxha u shpreh se në Parlament nuk vihet me shishe benzine, por për të ushtruar lirinë e të drejtës së fjalës mbi bazën e mandatit që merr nga zgjedhësit.

Zjarrvënia, por dhe aktet e tjera të dhunës gjatë seancës parlamentare ishin vendngjarje për organet ligjzbatuese, shtoi më tej Hoxha.

“Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës kanë kryer menjëherë të gjitha veprimet procedurale, duke administruar pamjet filmike dhe çdo element tjetër me interes për hetimin. Ngjarja do të referohet në përfundim të këtyre veprimeve, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për shkak të cilësive të veçanta që kanë deputetët”, theksoi Hoxha.