Xhelal Mehmeti: Unioni i afaristëve të Luginës ka mision zhvillimin ekonomik
Xhelal Mehmeti, kryetar i Unionit të Afaristëve për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, tha se Unioni ka mision zhvillimin ekonomik në Luginë të Preshevës.
Ai foli për konferencën e mbajtur ditë më parë “Ekonomia shpëton Luginën”, si vazhdimësi e konferencës së parë, mbajtur në vitin e kaluar, që sipas tij, kishte një sukses të mirë, sepse pjesëmarrës ishin biznesmenë nga mërgata shqiptare, por edhe të huaj. Gjithashtu prezentë ishin përfaqësues të odave të ekonomisë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, nga Shqipëria, si dhe përfaqësues nga ambasada e Shqipërisë në Beograd, etj.
Ai përmendi temat që janë trajtuar në atë konferencë, ku ndër më kryesoret ishte sfida e prodhuesve të Luginës për kushtet dhe mbështetjet ndaj tyre nga mërgata.
“Ne kemi minifabrika të cilat prodhojnë produkte të ndryshme, por problem është se Lugina e Preshevës është rajon i izoluar, duke qenë se ajo kufizohet me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, derisa produktet tona bojkotohen në Serbi”, deklaroi Mehmeti.
Ai shtoi se detyrë e Unionit është që të lobojë për bizneset e Luginës, që produktet e tyre të mund të plasohen në shtetet perëndimore. /rtk