Miftaraj: Me kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, kthehet sovraniteti i veriut
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se sovraniteti i veriut kthehet me kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në institucionet ku kanë punuar.
Miftaraj tha dorëheqja e stafit serb në veri ka qenë veprim që nuk do të duhej të ndodhte.
“Në mënyrë që të ketë legjitimitet ushtrimi i gjyqësorit në veri, është e domosdoshme në bazë të Kushtetutës, të ketë gjyqtarë dhe prokurorë serbë”, tha Miftaraj, duke shtuar se është qasje kritike e rëndësishme për interesat e Republikës së Kosovës.
Përmes kësaj qasjeje, ai tha se i është mbyllur rruga presidentit serb Aleksandar Vuçiq, që përmes veprimeve të njëanshme politike, të ndikojë diskursin e brendshëm në Republikën e Kosovës.
“Me kthimin e prokurorëve dhe gjyqëtarve serbë, besoj që është pjesa më e rëndësishme ku rikthehet edhe një herë ushtrimi i plotë i sovranitetit në veriun e Kosovës, ku qytetarët serbë shërbimet e tyre do t’i marrin nga përfaqësuesit e tyre, në këtë rast nga gjyqëtarët dhe prokuroët të cilët janë të emëruar në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të cilët e kanë dhënë betimin ose kanë shkuar para presidentit së Republikës së Kosovës për ta marrë mandatin si prokurorë dhe gjyqëtarë, sikurse që e marrin të gjithë gjyqëtarët dhe prokurorët shqipëtarë”, tha Miftaraj.
Ai shtoi se është me rëndësi që Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të kujdesen që me rastin e kthimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe stafit mbështetës, të sigurohen që nuk ka elementë ose persona të cilët ka informata se janë të përfshirë në vepra kriminale që i bëjnë të padenjë për të vazhduar ushtrimin e funksionit të gjyqatrit dhe prokuroritë.
“Po ashtu besoj t’ua bëjnë me dije njëherë e mirë gjyqtarëve, prokurorëve por edhe stafit mbështetës se ata i përkasin institucionit të Republikës së Kosovës dhe janë të mirëseardhur për të ushtruar detyrat dhe përgjegjësitë në këto institucione, por që duhet të sillen në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Miftaraj. /BetimipërDrejtësi