NATO-ja tregon vendosmëri për ruajtjen e paqes në Ballkan, dislokon trupa në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut

NATO-ja tregon vendosmëri për ruajtjen e paqes në Ballkan, dislokon trupa në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut

Aktuale September 30, 2024 - 12:43

Rreth 200 pjesëtarë nga Forca Aleate e Reagimit të NATO-s (ARF) do të dislokohen në Ballkanin Perëndimor nga data 30 shtator deri më 16 tetor 2024, për të kryer stërvitje që synojnë rritjen e gatishmërisë dhe mbështetjen e Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR).

Sipas njoftimit për media, thuhet se kjo është hera e parë që një njësi e ARF-së dislokohet që prej themelimit të saj në korrik 2024.

“Një kontingjent ushtarak prej rreth 50 pjesëtarësh nga Ekipi Operacional i Ndërlidhjes dhe Zbulimit të ARF-së do të jetë në Kosovë, ndërsa një nyjë komanduese përparimtare prej rreth 150 personash do të vendoset në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftim.

Pjesëtarët e dislokuar do të kryejnë aktivitete stërvitore për të mbajtur një nivel të lartë të gatishmërisë dhe për të testuar aftësitë e tyre në dislokimin e shpejtë të një force të madhe.

“Një pjesë e selisë së ARF-së do të integrohet përkohësisht në strukturat komanduese dhe kontrolluese të misionit të KFOR-it, me detyrën për të identifikuar kërkesat për mbështetje logjistike, infrastrukturore dhe operacionale për KFOR-in, në rast të përforcimit të tij”, thuhet tutje në njoftim.

ARF-ja është një forcë strategjike, shumëdimensionale dhe me gatishmëri të lartë, e cila mund të dislokohet në një afat shumë të shkurtër kohor dhe i mbështetur nga paketa të shkallëzuara për të rritur parandalimin në skenarë të ndryshëm. ARF i siguron Komandës së Lartë të Aleancës Evropiane (SACEUR) një aftësi të menjëhershme për reagim në krizë.

Ky dislokim i ARF-së, së bashku me dislokimin e vazhdueshëm të Forcës Strategjike Rezervë (SRF) në Kosovë, të njoftuar në fillim të këtij muaji, dërgon një mesazh të qartë për vendosmërinë e NATO-s për “të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe për gatishmërinë e NATO-s për të reaguar.

Komanda e Përbashkët e Forcave Aleate të Napolit (JFCNP) po monitoron nga afër situatën në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Tensionet e përsëritura dhe veprimet e pakoordinuara po ngrenë shqetësime për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin e rajonit, si dhe për sigurinë e trupave të NATO-s dhe partnerëve të saj”, thuhet në njoftim.

JFCNP-ja mbështet përpjekjet e KFOR-it në zbatimin e mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuuar në një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. KFOR-i vepron si reaguesi i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë respektivisht reaguesit e parë dhe të dytë të sigurisë.