Renovimi i IML-së, një pjesë e stafit do të punojë në objekte të SHSKUK-së
Foto: Laura Hasani

Renovimi i IML-së, një pjesë e stafit do të punojë në objekte të SHSKUK-së

Aktuale September 28, 2024 - 22:25

Një pjesë e punës që bëhet në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, së shpejti do të duhet të realizohet në një vend tjetër.

Kjo pasi që objekti i IML-së, i cili dy herë u përfshi nga zjarri do t’i nënshtrohet renovimit.

Nënshkrimi i kontratës nga ministrja e Drejtësisë, është mirëpritur nga drejtuesit e IML-së, të cilët tregojnë se në cilët pjesë do të intervenohet.

“Gjatë kësaj kohe do të punohet në kulm, në hapësirat e brendshme, në sistemin kundër zjarrit do të punohet në ventilim dhe klimatizim, do të bëhet dizajnimi i të gjitha hapësirave, do të rinovohen edhe të gjitha sallat e autopsisë…Për momentin laboratori i toksikologjisë është jashtë funksionit si pasojë indirekte e zjarrit, jo direkte, dhe ky laborator do të krijohen kushtet fizike dhe të startojë laboratori”, ka thënë Ditor Haliti – U.D i drejtorit të IML-së.

Haliti shton se janë diskutime me SHSKUK-në për tu ofruar në shfrytëzim ndonjë objekt, që gjendet në afërsi të Institutit, tek shton se mosfunksionalizimi i një pjese të laboratorit e shkatërrimi i një pjese të objektit u ka sjell shumë probleme.

“Funksionimi gjatë kësaj kohe ka qenë shumë sfidues pikë së parë për shkak të kushteve fizike, që kanë qenë në objekt pastaj edhe mosfunksionimi i laboratorit të toksikologjisë ka sjellë telashe e veta por të gjitha rastet urgjente me prioritet janë adresuar jashtë vendit, me laboratorët që kemi marrëveshje bashkëpunimi, por sidoqoftë shpresojmë që sa më shpejtë të kryhen punimet”, është shprehur  Haliti.

Renovimi i objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, që menaxhohet nga Ministria e Drejtësisë pritet të kushtojë mbi 800 mijë euro.

Problematika të shumta e kishin përfshirë këtë Institut gjatë viteve të fundit. Ky objekt në vitin 2023, u përfshi nga zjarri dy herë, ndërkohë që në vitin 2022 aty ishin zhdukur mostrat e Astrit Deharit, nga Laboratori i Toksikologjisë. /Dukagjini