Një përqindje e vogël e serbëve në Veri po paguajnë faturat e energjisë elektrike
Foto: Laura Hasani

Një përqindje e vogël e serbëve në Veri po paguajnë faturat e energjisë elektrike

Aktuale September 28, 2024 - 11:27

Një përqindje e vogël nga 23 mijë konsumator të cilët në Veri të Kosovës furnizohen me energji elektrike, paguajnë faturat e tyre në fillim të muajit.

Kështu të paktën ka bërë të ditur zyrtari i Zyrës Rregullatorit për Energji (ZRRE), Petrit Pepaj, duke potencuar se shkak për këtë mund të jetë se në atë pjesë të vendit qytetarët nuk kanë paguar asnjëherë energji elektrike.

“Aktualisht përqindja është e vogël, për shkak se në atë pjesë pothuajse një kohë të gjatë nuk është bërë pagesa e energjisë elektrike dhe njerëzit nuk paguajnë hezitojnë të fillojnë me pagesa”, ka thënë ai në një intervistë për Ekonomia Online.

Në rast të mospagimit, ai ka theksuar se bëhet shkyçja e konsumatorit nga energjia elektrike, duke shtuar se deri më tani ende nuk kanë filluar të zbatojnë këtë procedurë.

Zyrtari i ZRRE-së ndër të tjera ka potencuar se me licencimin e kompanisë serbe, Elektrosever, konsumi në atë pjesë ka rënë krahasuar me vitet e kaluara,

“Elektroseveri siç e dini është i licencuar nga Zyra Rregullatorit për Energji, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Si rrjedhojë e këtij licencimit Elektroseveri e ka për obligim të raportoj çdo muaj. Në bazë të raporteve të shtatë mujorit të këtij viti janë 113 mijë kilovatë në orë të energjisë elektrike të faturuara, të përkthyera në pare janë diku rreth 8 milionë euro, ndërsa inkasimi ka filluar, pak çalon në aspektin e klasimit diku janë 631 mijë të inkasuar prej asaj energjie e cila është e faturuar”, ka shtuar ai.

Ndër vite, shpenzimet e bëra në Veri janë paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës, ndërsa nga viti 2017 e këndej nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) dhe nga subvencionet e Qeverisë së Kosovës.

Për ta zgjidhur këtë çështje, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk u zbatua me vite, derisa dy vendet ranë dakord për një udhërrëfyes për zbatimin e saj në vitin 2022.