Institucionet të paqarta nëse SHBA-ja pezulloi disa trajnime të Policisë së Kosovës
Foto: Laura Hasani

Institucionet të paqarta nëse SHBA-ja pezulloi disa trajnime të Policisë së Kosovës

Aktuale September 26, 2024 - 20:30

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka deklaruar se ende nuk e ka marr një vendim për mënyrën e vazhdimit të bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe mekanizma të saj, siç është Policia e Kosovës.

Reagimi vjen pas raportimit të djeshëm, sipas të cilit, burime të RTV Dukagjinit brenda Policisë treguan se së paku në një rast, trajnimi “Antiterrorism Assistance Program”, i njohur si ATA është pezulluar.

Sa i përket pyetjes suaj, ju lutem referojuni deklaratës së 30 gushtit, e cila thotë: “Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”. Ne jemi duke vazhduar shqyrtimin e çështjes dhe për momentin deri tani nuk kemi marr asnjë vendim,” u tha nga Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë.

Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë i kritikoi Ambasada Amerikane pasditen e 30 gushtit, kur Policia me urdhër të MAPL-së mbylli komunat paralele serbe në veri.

Prandaj edhe paralajmëroi se kjo do të ndikojë në bashkëpunimin ndërinstitucional.

Policia e Kosovës, e cila një ditë më parë nuk u përgjigj fare në pyetjet e televizionit, ka vendosur që një ditë më vonë të lëshoj një njoftim për të gjitha mediat.

Aty nuk demantohet raportimi i Dukagjinit për pezullim trajnimesh pas datës 30 gusht por tregohet se ka pasur mbi 200 trajnime në periudhën 2022-2024.

Sipas komunikatës, edhe në këtë javë janë dërguar nominime për trajnime. Por, marr parasysh procedurën e tillë të programeve të Ambasadës Amerikane, nominimi nuk nënkupton pjesëmarrje automatike sepse të nominuarit në programe të Departamentit Amerikan të Shtetit kalojnë në disa filtra, përfshirë në Uashington.

Megjithëkëtë, Policia u shpreh e gatshme të sqarojë të gjitha keqkuptimet sipas tyre me Ambasadën Amerikane.

“PK-ja deklarimet e Ambasadës Amerikane që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e PK-së, i merr me shumë seriozitet dhe mban komunikim të vazhdueshëm me ta, për të sqaruar gjithçka që mund të ketë sjellë deri tek ky perceptim edhe konstatim për PK-në. PK-ja merr me shqetësim dhe është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme që keqkuptimet e mundshme të eliminohen dhe të ruhet partneriteti ynë i jashtëzakonshëm me SHBA-të,” thuhet nga Policia e Kosovës.

Në njoftim po ashtu thuhet se ky institucion “udhëhiqet nga parimet e llogaridhënies dhe transparencës andaj është e hapur dhe e gatshme që ti ofrojë opinionit të gjerë dhe mediave informacionet zyrtare dhe statistikat për trajnimet”

Nisur nga kjo, Dukagjini ka kërkuar të dhëna për trajnimet e Policisë të mbajtur në vitin 2023, 2024 dhe veçanërisht në periudhën 30 gusht – 25 shtator, por Zyra për Media nuk është përgjigjur.