Ish-ushtaraku Veseli: Aktakuza nuk duhej ndalur me Radoiçiqin, ai mori urdhra nga zinxhiri komandues

Ish-ushtaraku Veseli: Aktakuza nuk duhej ndalur me Radoiçiqin, ai mori urdhra nga zinxhiri komandues

Aktuale September 26, 2024 - 18:34

Ish-ushtaraku Afrim Veseli ka deklaruar se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, i udhëhequr nga Milan Radoiçiq, ishte një operacion i organizuar dhe i mbështetur nga institucionet serbe, përfshirë ushtrinë dhe shërbimet sekrete serbe.

Sipas Veselit, ky sulm nuk do të ishte i mundur pa urdhrin e drejtpërdrejtë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe mbështetjen e strukturave ushtarake dhe të inteligjencës.

“Millan Radoiçiqi në Kosovë më gjithë armatim që e ka marrë nga bazat ushtarake të ushtrisë së rregullt serbe, kurrë edhe krahët me i pas nuk do të kishte mund të hy në Kosovë edhe me vra një polic. Por ai ka pasur urdhër, e ai urdhër shumë qartë e shkurt është dhënë nga presidenti i Serbisë në bazë të Kushtetutës që e kanë. Me lejen dhe miratimin e gjeneralit Millan Mojsilloviq, shef shtabi i ushtrisë serbe, me dijen dhe ndihmesë e plotë të BIA-s serbe dhe me ndihmën e shërbimi informativ ushtarak të ushtrisë serbe”, deklaroi ai në TV Dukagjini.

Asnjë aktivitet ushtarak i grupeve civile me uniforma serbe nuk mund të lëviz pa dijeninë e shtetit”, ka thënë Veseli.

Veseli ka theksuar se Prokuroria Speciale e Kosovës është dashur t’i akuzojë edhe institucionet serbe që nga presidenca deri te shërbimet inteligjenca për sulmin e Banjskës.

“Aktakuza nuk do të duhej të përfundonte me Radoiçiqin, por me zinxhirin komandues të tyre pra gjeneralin e ushtrisë serbe Mojsilloviq-shef i shtabit të ushtrisë serbe. E jona do të ishte të bëhej ngritja e aktakuzës”, deklaroi ndër të tjera Veseli.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi me 11 shtator se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.

Të përfshirët, sipas prokurorit të rastit, Naim Abazi, kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal – “duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.

“Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, tha Abazi në një konferencë për media, të mbajtur të mërkurën në Prishtinë.

Në Banjskë të Zveçanit një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.