Rama reagon pas dënimit të deputetit Ervin Salianjit

Rama reagon pas dënimit të deputetit Ervin Salianjit

Aktuale September 26, 2024 - 18:26

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit që konfirmoi dënimin me një vit burg për deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, për akuzën e shpifjes dhe kallëzimit të rremë.

Përmes një postimi në platformën ‘X’ (ish-Twitter), Rama e cilësoi vendimin një moment të rëndësishëm për sistemin e ri të drejtësisë në Shqipëri.

Rama vuri në dukje se ky ishte një rast historik për gjyqësorin, duke theksuar se “për herë të parë gjykatat e vendit ushtrojnë të drejtën për të dënuar penalisht një kategori të shpifjes dhe kallëzimit të rremë.”

Ai e lidhi këtë vendim me një ngjarje që, sipas tij, “tronditi opinionin publik” disa vite më parë, përmes një “inskenimi kriminal” kundër drejtuesve të Reformës në Drejtësi dhe Partisë Socialiste.

Sipas kryeministrit, ky vendim tregon forcën e drejtësisë së re, që ka nisur të godasë si majtas, ashtu edhe djathtas. Rama theksoi se vendimi për dënimin e një politikani si Salianji është një shenjë e qartë se sistemi i ri gjyqësor po ndjek rrugën e ligjit të barabartë për të gjithë.

“E vërteta vonoi, por më në fund erdhi,” shkroi Rama, duke nënvizuar se ky vendim nuk do të ndalojë përhapjen e dizinformimit në Shqipëri, por është një sinjal pozitiv për të ardhmen e drejtësisë dhe të vërtetës.

Në reagimin e tij, kryeministri e cilësoi shpifjen dhe dizinformimin si një “kancer social”, duke akuzuar disa politikanë dhe media për përhapjen e shpifjeve që “helmojnë gjakun e shoqërisë shqiptare”.

Sipas tij, vendimi i Apelit është një hap drejt dënimit të kësaj kategorie njerëzish që kanë ndotur debatin publik dhe kanë dëmtuar jetët e shumë njerëzve.

Megjithatë, Rama siguroi se qeveria socialiste nuk do të ndjekë gazetarët për shpifje, por do të vazhdojë betejën e saj ligjore kundër politikanëve dhe individëve të tjerë që, sipas tij, abuzojnë me të drejtën e fjalës.

Reagimi i kryeministrit ka ngjallur debat në qarqet politike, me opozitën që e akuzon qeverinë për presion ndaj gjyqësorit, ndërsa mbështetësit e mazhorancës e shohin vendimin si një triumf të drejtësisë.