Nuk kalon votimi i kandidatëve të Këshillit për Trashëgimi
Foto: Laura Hasani

Nuk kalon votimi i kandidatëve të Këshillit për Trashëgimi

Aktuale September 26, 2024 - 11:46

Deputetja e LDK-së Vlora Dumoshi në seancën e sotme plenare, në emër të Grupit Parlamentar, tha se në përzgjedhjen e kandidatëve për Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka shkelje dhe nuk ka përzgjedhje sipas kritereve të konkursit dhe se janë përzgjedhur militantët partiakë.

Dumoshi shtoi se Grupi Parlamentar i LDK-së mendon se procesi duhet të kthehet në pikën zero. Sipas saj, komisioni ka pranuar tri ankesa për këtë përzgjedhje dhe se asnjëra nga to nuk është shqyrtuar.

Kuvendi nuk kishte kuorum për votimin e anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Gjithashtu në mungesë të kuorumit pika e nëntë e rendit të ditës, që ka të bëjë me projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, nuk u miratua.

Në seancë nuk u votua as Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër” me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim raporton eo.

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të ratifikohet edhe amendamenti i Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore.