Haradinaj: “Mafia energjetike” ka marrë mbi 365 milionë euro për dy vjet
Foto: Laura Hasani

Haradinaj: “Mafia energjetike” ka marrë mbi 365 milionë euro për dy vjet

Aktuale September 26, 2024 - 10:31

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Kurti e ka detyruar kompaninë amerikane të tërhiqej nga “Kosova C” sepse iu duk çmimi prej 80 € tepër i lartë.

Haradinaj, në një postim në Facebook, ka thënë se për dy vjet mesatarja e pagesës ditore për mafinë energjetike është hiç më pak se 500.000 euro në ditë.

“E anuluan projektin amerikan të gazit. E detyruan Kompaninë Amerikane të tërhiqej nga Kosova C sepse iu duk çmimi prej 80 € tepër i lartë. U mbështetën te mafia energjetike e Rajonit që dihet se nga kush udhëhiqet dhe paguan veç për dy vjet (2022 dhe 2023), hiç më pak se 365,706,835.9 € para të Kosovës.

Sipas tij, në krahasim me dy vitet 2018 dhe 2019 kjo është afër 4.5 herë më shumë, ose 282 milionë euro më shumë, nga koha sa kanë importuar në kohën kur ai ishte kryeministër.

“Me të vërtetë tronditëse e dhëna se për dy vjet mesatarja e pagesës ditore për mafinë energjetike është hiç më pak se 500.000 euro në ditë. Këto janë të dhëna nga raporti i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike të Kosovës, për vitin 2023”, shkroi Haradinaj.