Borrelli takoi liderët e Ballkanit Perëndimor: Udhëheqësit duhet të marrin vendime të guximshme dhe strategjike për të ecur para

Borrelli takoi liderët e Ballkanit Perëndimor: Udhëheqësit duhet të marrin vendime të guximshme dhe strategjike për të ecur para

Aktuale September 26, 2024 - 08:04

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të mërkurën takoi në Nju-Jork në një drekë pune liderët e Ballkanit Perëndimor.

Takimi u zhvillua në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në takimin me Borrellin ishte presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.

“Ishte kënaqësi të prisja liderët e Ballkanit Perëndimor. Rritja e ndikimit keqdashës që minon përpjekjet për reforma në rajon tregon se ne duhet të bashkëpunojmë edhe më ngushtë… Së bashku, ne do të krijojmë një BE më të sigurt dhe më të begatë”, shkruan Borrelli në platformën X.

E në një njoftim të BE-së thuhet se përfaqësuesi i lartë Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan rëndësinë e forcimit të qëndrueshmërisë, duke theksuar nevojën për harmonizim strategjik me Bashkimin Evropian për të ruajtur stabilitetin rajonal.

Përfaqësuesi i lartë, Borrelli theksoi se Ballkani Perëndimor është një pjesë integrale e së ardhmes së Evropës.

Ai theksoi rëndësinë e lidhjeve BE-Ballkani Perëndimor dhe përsëriti se anëtarësimi në BE është i arritshëm, me kusht që reformat kyçe të ndiqen me fokus të ri.

“Takimi ishte një mundësi për të kujtuar nevojën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese dypalëshe. Përfaqësuesi i lartë Borrelli nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë të arritura përmes dialogut dhe kompromisit si hapa thelbësorë drejt integrimit në BE. Udhëheqësit duhet të marrin vendime të guximshme dhe strategjike për të çuar përpara aspiratat e tyre evropiane”, citohet të ketë thënë ai.

Përfaqësuesi i lartë Borrelli përfundoi duke rikonfirmuar angazhimin e BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor në rrugën e tyre evropiane, duke theksuar se zgjerimi mbetet një prioritet kryesor për BE-në.

Të pranishëm në takim ishin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës Denis Beqiroviq, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe zëvendëskryeministri për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane të Mali i Zi, Filip Ivanoviq.